Bogdani: Rama s’e do Shqipërinë në NATO
Demokratët i kujtuan dje Edi Ramës se janë të paktë pinjollët e nomenklaturës së vjetër si ai, që nuk duan ta shohin Shqipërinë në NATO dhe shqiptarët në Evropë. Sipas PD-së, qindra mijëra shqiptarë e kanë pritur me padurim këtë ditë nga ‘44-a deri më sot. Zëdhënësi i PD-së, Gerti Bogdani, i kërkoi sërish dje z. Rama të gjejë forcën dhe kurajon dhe të dalë e të përshëndesë firmosjen e Shqipërisë në NATO apo deklaratat e z. Fratini për liberalizim të vizave në 2009-ën. “Sepse nuk e ka bërë akoma një gjë të tillë dhe pasi përfaqëson edhe ata qindra apo mijëra socialiste që janë pro anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe që duan të lëvizin të lirë në Evropë”. Bogdani akuzoi se “Edi Rama nxori nënkryetarin e tij, Erion Veliaj, i cili ndërtoi vilën private me paratë e vjedhura nga organizata Mjaft, më pas mori me vete edhe kompjuterin e financave për të mbuluar gjurmët e tij, për të protestuar para ministrit të Jashtëm të Italisë, z. Fratini, me slogane komuniste, antiglobaliste”. “Z. Rama, - shtoi Bogdani, - e bëri këtë ndaj një njeriu, miku të shquar të shqiptarëve dhe Shqipërisë, i cili solli lajmin e mirë dhe të shumëpritur të liberalizimit të vizave gjatë vitit 2009, ndërsa dje nxori një altoparlant tjetër të mashtrimit për t’u thënë shqiptarëve se ajo nuk ishte mostra e ID-card-es dhe pasaportës biometrike”, - theksoi z. Bogdani. Sipas tij, këto janë akte të padenja të z. Rama, sepse shqiptarët dhe Shqipëria, tek Silvio Berluskoni, qeveria e tij dhe Franko Fratini, kanë pasur gjithnjë miqtë më të shkëlqyer. “Në një kohë, - tha më tej ai, - kur nënkryetari i tij, Erion Veliaj, me 3 debatikas të tjerë, si antishqiptar i devotshëm, protestonte me slogane antiglobale, Franko Fratini shprehte vlerësimin dhe respektin më të madh për kontributin e gjysmë milioni shqiptarë që punojnë në Itali. Veç këtyre, në TV nxori edhe zëdhënësen tjetër, jo Erionin, po Erionkën, që të thoshte se gjyshja e saj nuk është e interesuar dhe nuk e vret mendjen për NATO-n”, - u shpreh z. Bogdani.