Bregu: 7 nëntor, Gjermania ratifikon “Shqipëria në BE”
Gjermania më datën 7 nëntor ratifikon MSA-në me Shqipërinë. Ndërkohë Franca dhe Greqia kanë në proces ratifikimin nga parlamentet e tyre. Gjatë punimeve të djeshme të konferencës së ambasadorëve, zhvilluar në hotel “Tirana International”, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, bëri të ditur se MSA-ja është ratifikuar tashmë nga 22 vende anëtare të BE-së. Ajo konfirmoi se pritet përfundimi i procedurave me Francën dhe Greqinë, duke pritur që Gjermania të përfundojë procesin e ratifikimit më 7 nëntor 2008, duke na dhënë mundësinë që realisht të besojmë faktin që MSA-ja të ratifikohet brenda vitit 2008 dhe fillimi i vitit të ardhshëm të shënojë hyrjen në fuqi të saj. Bregu theksoi se momenti që MSA-ja të hyjë në fuqi është një moment sfidash të përbashkëta për të gjitha institucionet shqiptare, sigurisht sfidë edhe për të gjitha përfaqësitë tona dhe ambasadat në të gjitha vendet e BE-së, për kompanitë e biznesit, për personat juridike apo edhe për njerëzit e zakonshëm, të cilët do të përfitojnë direkt nga kjo marrëveshje”. ''Si rrjedhojë e hyrjes në fuqi të MSA-së, - u shpreh Bregu, - shtetasit shqiptarë që janë të punësuar ligjërisht në një shtet anëtar të BE-së, nuk do të kenë asnjë formë diskriminimi bazuar në kombësi, për sa u përket kushteve të punës shpërblimit apo shkarkimit nga puna krahasuar me shtetasit e këtij vendi anëtar të BE-së, megjithëse Shqipëria nuk është akoma vend anëtar''.