Topalli, ambasadorëve: Keni Kuvendin mbështetje në punën tuaj
Me një ton miqësor dhe vlerësime për rolin e tyre nëpër botë, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka pasur ndoshta fjalimin më pak kritizer ndër fjalimet e krerëve të shtetit drejtuar ambasadorëve shqiptarë gjatë qëndrimit të tyre në Tiranë. E ftuar të përshëndesë konferencën e ambasadorëve që po mbahet prej disa ditësh, Topalli ka vlerësuar rolin e tyre dhe u ka premtuar mbështetjen e Kuvendit në punën që bëjnë për të promovuar vlerat e Shqipërisë në vendet ku shërbejnë. “Kam kënaqësinë që edhe këtë vit të shfrytëzoj këtë rast për t’u takuar me ju dhe për të shprehur, në emër të të gjithë anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë, vlerësimin dhe mbështetjen time, mbështetjen e Kuvendit dhe të strukturave të tij, për veprimtarinë tuaj në përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave të Shqipërisë dhe shqiptarëve jashtë vendit, në funksion të zbatimit të objektivave të politikës sonë të jashtme”, - iu drejtua ajo trupit diplomatik. Më tej, vijoi se dy ngjarje janë shumë të rëndësishme për t’u shënuar në këtë vend, siç është ratifikimi i MSA-së dhe i Protokollit të NATO-s. Në të dyja këto raste Topalli tregoi për përpjekjet e Kuvendit shqiptar që procesi të ecë me hapa të shpejtë. Po ajo s’la pa përmendur dhe çështjen e pavarësisë së Kosovës, duke shtuar se “ashtu si edhe në fushat e tjera, edhe në bashkëpunimin ndërparlamentar ne do të ndërtojmë një marrëdhënie të ngushtë bashkëpunimi e miqësie, shkëmbimesh e kontaktesh të gjithanshme me Republikën e Kosovës”. Por as në fjalimin e saj nuk kanë munguar kritikat ose, më mirë të themi, kërkesat për përmirësimin e punës. “Është detyrë parësore juaja të bëni promovimin e reformave, të prezantoni efektin e tyre, në të gjithë komponentët e veprimtarisë sonë, në të gjitha fushat e aktivitetit. Vendi dhe shoqëria presin me të drejtë një cilësi të punës dhe aktivitetit të trupit tonë diplomatik në përputhje me cilësinë e zhvillimit të vendit, në përputhje me cilësinë që kërkon trajtimi me sukses i sfidave me të cilat ballafaqohet Shqipëria, rajoni dhe kontinenti si dhe në përputhje me kërkesën e natyrshme të qytetarëve shqiptarë për të gjetur tek vendi i tyre dhe përfaqësuesit e tyre, dinjitetin, profesionalizmin, gatishmërinë, shërbimin publik dhe mbrojtjen e përhershme”, - përfundoi Topalli.