E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD pas dosjeve, institut shkencor për krimet e komunizmit



Këshilli i Ministrave pritet të sjellë së shpejti në Kuvend një projektligj ndryshe nga të tjerët, një projekt që tenton rishkrimin e historisë 50-vjeçare nën diktaturën komuniste. Nisur nga debati i fundit në lidhje me pastërtinë e figurave shtetërore nga e kaluara e komunizmit apo dënimin e krimeve të regjimit të kaluar, qeveria pritet të hartojë një projektligj për ngritjen e një instituti shkencor, i cili do të investigojë dhe studiojë të gjitha krimet që sistemi komunist ka bërë në Shqipëri. Instituti për Studimin e Krimeve të Regjimit Komunist, kështu pritet të cilësohet, do të ketë në përbërjen e tij historianë, ekspertë, studiues etj., të cilët do të studiojnë për një kohë të gjatë të gjithë aktivitetin kriminal të diktaturës enveriane. Një fakt të tillë e ka konfirmuar për gazetën edhe deputeti Aldo Bumçi. Deputeti i PD-së, i cili është ngarkuar direkt nga maxhoranca për ligjin e pastërtisë së figurave, tha se “së shpejti do të vijë nga qeveria projektligji për studimin e krimeve të komunizmit”. Sipas Bumçit, ky është një premtim i Kryeministrit Berisha, i cili së shpejti do të materializohet në një ligj të posaçëm. Sipas deputetit demokrat, së bashku me ligjin për pastërtinë e figurave, krijimi i institutit shkencor do të krijojë mundësinë për dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare. Kryeministri Berisha, disa muaj më parë në mbledhje qeverie, deklaroi se një institut i tillë do të ngrihet me patjetër, nisur edhe nga eksperiencat më të mira në Evropën Juglindore. “Qeveria ka pasur një projekt për të ngritur një institut studimor mbi pasojat e sistemit totalitar, i përbërë nga historianë dhe studiues, të cilët do të mund të studiojnë dhe të nxjerrin në pah të gjithë shëmtinë dhe pasojat tmerrësisht të rënda të atij sistemi, që Bernard Henri Levi e quan “barbari me fytyrë njerëzore”. Mendoj se ky institut duhet të ngrihet nga Parlamenti dhe jo nga qeveria. Për ngritjen e këtij instituti duhet të ketë një ligj, të cilin po e përgatisim mbi bazën e eksperiencës së vendeve të tjera dhe shpresoj t’jua sjellim në Parlament”, - ka deklaruar Berisha. Kryeministri Berisha ka sqaruar se krijimi i këtij instituti shkencor do të bëjë të mundur zbulimin e shumë enigmave. Ndërkohë, Berisha është shprehur se ky institut nuk ka lidhje me ligjin për pastërtitë e figurave zyrtare. “Gjithsesi, kjo nuk zëvendëson ligjin e pastërtisë së figurave. Ky ligj ka lidhje me pastërtinë e atyre që qeverisin vendin, në raport me lidhjet e tyre të shkuara me Sigurimin e Shtetit dhe organet e dhunës, me pastërtinë e zyrtarëve të lartë dhe vendimmarrësve të rëndësishëm të të gjitha pushteteve”, - është shprehur Berisha. Kryeministri ka përforcuar idenë e krijimit të këtij instituti, pas takimeve të shumta që ka pasur me ish-të përndjekur politikë apo me historianë të ndryshëm, të cilët e kanë kërkuar ngritjen e këtij instituti. Sipas idesë paraprake, ky institut pritet të studiojë të gjithë aktivitetin e diktaturës dhe do të bëjë publike krimet që kanë ndodhur në atë periudhë. Ngritjen e tij e kanë kërkuar edhe mjaft faktorë politikë si dhe ish-të përndjekurit të cilët kërkojnë informimin e shoqërisë mbi anën e diktaturës. Deri në këto momente janë publikuar një pjesë e krimeve të komunizmit në Shqipëri. Në shifra të përgjithshme, të dhënat flasin për 5577 burra të pushkatuar me ose pa gjyq si “armiq të popullit e të partisë”, 450 gra të pushkatuara me ose pa gjyq si “armiq të popullit e të partisë”, 26.768 persona të burgosur si “armiq të popullit dhe partisë”, 7.367 gra të burgosura si “armiq të popullit dhe partisë”, 998 burra dhe 45 gra të vdekura në burgjet politike etj.

Si do të funksionojë Instituti për Studimin e Krimeve të Regjimit Komunist

Instituti për Studimin e Krimeve të Regjimit Komunist nuk pritet të jetë thjesht një institut historie. Ai do të përpiqet me mjetet e tij shkencore që të publikojë krimet e komunizmit, në mënyrë që të gjendet mënyra e dënimit të tyre, qoftë moralisht, politikisht apo materialisht. Ky institut do të përpiqet të organizojë bazat e të dhënave të ish-aktivistëve të Partisë Komuniste, Sigurimit, policisë, gjykatësve, prokurorëve që kanë kontribuar në represionin ndaj njerëzve. Emrat e tyre dhe veprimet e tyre pritet të publikohen në një raport periodik. Ajo që pritët të zbardhë ky institut, është fakti që komunizmi nuk është vetëm një regjim kriminal, por edhe një regjim që ka praktikuar terrorizmin shtetëror. Eksperienca rumune e këtij instituti ka treguar se krimi mund të jetë aksidental, por regjimi komunist e ka organizuar në sistem. Instituti do të funksionojë për një periudhë të caktuar disavjeçare. Ai do të publikojë raporte periodike mbi rezultatet dhe studimet. Instituti do të jetë i pavarur, ndërsa është menduar që ai mund të raportojë mbi punën njëvjeçare në Kuvend. Instituti pritet të ketë personalitete shumë të njohura të jetës intelektuale shqiptare, çka do të bllokonte mundësinë e politikës për të hedhur baltë mbi punën e këtij instituti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›