E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama, në Gramsh: Nuk bëj premtime, se është e pamundur t’i mbaj

Kryetari i Partisë Socialiste vijoi dje turin “Dialog me Shqipërinë” në Komunën Skënderbegas në Gramsh. Gjatë këtij takimi, Rama akuzoi Kryeministrin Berisha se nuk ka mbajtur premtimet e zgjedhjeve të 2005-s. Për këtë shkak, edhe vetë nuk mori përsipër të premtojë ato gjëra që njerëzit kanë nevojë, por duke bërë vetëm deklaratat e politikës së re dhe bashkimit përtej së majtës e së djathtës. “Gjëja më e lehtë që unë mund të bëj, është të premtoj çfarë ju doni dhe t'ju them do i bëjmë këto të gjitha. Por, unë nuk e bëj këtë gjë. Nuk kam ardhur t'ju bëj premtime për të gjitha gjërat që ju doni, sepse kjo është e pamundur. Kam ardhur këtu për t'ju thënë, se i vetëm nuk bëj dot asgjë, por të gjithë së bashku mund të realizojmë gjëra që sot duken të pamundura. Së bashku mund të shkojmë aty ku sot duket sikur nuk do të arrijmë dot kurrë. Ne së bashku mund ta ndërtojmë të nesërmen”, - deklaroi Rama. Në këtë linjë, Rama arsyetoi se duhet një bashkim i ri, me vetëdijen se përpara se të jemi socialistë e demokratë, jemi qytetarë e qytetare të këtij vendi, që jetojmë në fshat, jetojmë në qendër, në periferi, larg apo afër rrugës. Kryesocialisti gjatë këtij takimi ka shprehur bindjen e tij se programi i ri qeverisës i PSSH-së do të hapë një epokë të re në bujqësi dhe në zhvillimin rural.

LSI: PS-PD, gati kasaphanën e dytë për Kushtetutën

Lëvizja Socialiste për Integrim akuzoi dje dy partitë e mëdha se sapo kanë nisur pjesën e dytë të bashkëpunimit mes tyre që lidhet me kufizimin e imuniteteve dhe vijon me Kodin Elektoral. Spartak Braho, deputeti i kësaj partie, tha se dy partitë e mëdha kanë si synim që përmes kufizimit të imunitetit të godasin punonjësit e institucioneve të pavarura si KLD, Gjykata Kushtetuese, e Lartë etj.

Sipas Brahos, synohet përsëri të preket dhe ndryshohet Kushtetuta si më 21 prill të këtij viti, në afro 10 nene të saj. “Kjo kasaphanë e re dhe këto ndryshime në Kushtetutë z. Bufi synon t’i paraqesë si standarde të reja, gjuhë kjo tërësisht demagogjike, pasi “Varianti i ri i ndryshimeve” nuk ka synim vetëm kufizimin e imunitetit të deputetëve, gjë për të cilën LSI është jo për të kufizuar, por për ta hequr fare imunitetin, por goditja e radhës dhe lënia pa mbrojtje ligjore e institucioneve të pavarura dhe punonjësve të tyre, duke filluar nga KLD, Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, gjyqtarët e niveleve të ulëta, prokurorët, si dhe të gjitha institucionet e tjera. Kështu ia kërkon Berisha, përfaqësuesit të PS-së, z. Ylli Bufi, kështu kërkon të bëjë ai”, - tha Braho. E sipas tij, i gjithë ky lëshim, apo shitje e interesave parimore Rama-Bufi, për të ndryshuar përsëri me 10 nene Kushtetutën, bëhet në shkëmbim të lëshimeve apo pazareve të ndërsjella. “Ne parashikojmë dhe paragjykojmë se pazari i radhës i Rama-Berishës është edhe Kodi Elektoral. Si përfundim, ne denoncojmë në këtë rast përsëri komplotin dhe tradhtinë e re të Edi Ramës me Sali Berishën”, - përfundoi Braho.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›