E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Kontributi në Irak, garanci për NATO-n



Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, deklaroi dje në Kuvend se përfundimi i 11 misioneve ushtarake shqiptare në Irak me një sukses të plotë, është një garanci që jep Shqipëria për të qenë pjesë e NATO-s. Basha vlerësoi kontributin e trupave shqiptare dhe deklaroi se rruga e Shqipërisë drejt NATO-s do të jetë më e sigurt. Ai tha se suksesi në terren i trupave shqiptare, si dhe kontributi i tyre në vendosjen e paqes në një nga qytetet më të trazuara, si Mosuli, do të thotë që ushtria shqiptare është e aftë të përballojë situata të vështira. Sipas tij, prova e trupave shqiptare në Irak ishte e vështirë, por me rëndësi. Për herë të parë, trupat shqiptare u angazhuan me trupa të shumta në Irak dhe Afganistan dhe realizimi i detyrave nga ana e këtyre trupave ishte një test vendimtar, por që ushtarakët shqiptarë e arritën ta realizojnë. Basha tha më tutje: “Përfundimi i misionit në Irak, një nga më të vështirët dhe delikatët, ka futur në një epokë tjetër ushtrinë shqiptare. Tashmë kjo ushtri do të jetë e aftë të përballojë sfida të tjera edhe më të vështira për të cilat jep certifikim dhe garanci një nga ushtritë më të mëdha në botë, ajo e SHBA-ve”.

Ministri i Jashtëm tha më tej se aleatët vlerësojnë ushtrinë shqiptare dhe ky vlerësim ka ardhur në rritje. Sipas tij, forcat shqiptare kanë qëndruar krah për krah me forcat ndërkombëtare në krye të detyrës sensitive për ruajtjen e paqes në Irak. Gjithashtu, Basha shtoi se për Forcat e Armatosura kjo ishte jo vetëm detyrë ushtarake, por dhe një angazhim në detyrën e riparimit të një fabrike sociale të rrezikuar nga terrorizmi. “Sot para syve tanë kemi një Irak të ri të bashkuar dhe që është gati të marrë përsipër detyra për zhvillimin e vendit”, - u shpreh ministri Basha. Kreu i diplomacisë shqiptare përgëzoi Forcat e Armatosura për kryerjen me sukses të misionit paqeruajtës në Irak.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›