E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Lëvizja pa viza brenda të gjitha parametrave

TIRANË- Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha deklaroi sot se “lëvizja e lirë po përdoret brenda të gjitha parametrave nga qytetarët shqiptarë që nga 15 dhjetori, dita e hyrjes në fuqi e vendimit të Ministrave të Brendshëm të Brukselit".
Dy muaj pas hyrjes në fuqi të regjimit pa viza në zonën “Shengen” për qytetarët shqiptarë dhe Bosnje- Hercegovinës, gjatë një takimi të martën në Tiranë me përfaqësues të shoqërisë civile, agjencive kryesore të udhëtimit, Aviacionit Civili, etj, Basha duke vlerësuar ecurinë e këtij procesi të rëndësishëm, tha se "deri tani, nga të gjithë shqiptarët që kanë udhëtuar pa viza në Europë, nuk ka pasur asnjë rast azilkërkuesi".

Kjo, sipas ministrit Basha "është dhe duhet të mbetet element kyç dhe i rëndësishëm për mbarëvajtjen e procesit të liberalizimit të vizave".

Referuar të dhënave të deritanishme, Basha bëri të ditur se nga data 15 Dhjetor, kur nisi lëvizja e lirë, kanë përdorur mundësinë e lëvizjes pa viza 126.922 qytetarë shqiptarë, ndërsa 38.531 prej tyre janë rikthyer në Shqipëri.
Nga monitorimi i përditëshëm dhe analiza e të dhënave të Policisë rezulton se procesi i lëvizjes së lirë të qytetarëve ka pasur një ecuri normale.
Sipas statistikave, 2 % e udhëtarëve llogaritet të jenë refuzuar për të hyrë në zonën “Sengen”, ose 1283 qytetarë, ndërsa 576 qytetarëve u është refuzuar padrejtësisht hyrja, kryesisht në pikën kufitare me Greqinë në Kakavijë në ditët e para, por që më vonë, kanë përdorur këtë të drejtë të lëvizjes pa viza.
"Kjo është një shifër rekord, krahasuar me të gjitha vendet e Rajonit që kanë përfituar lëvizjen e lirë si dhe një provë e kaluar me sukses në lidhur me detyrimet që ka Shqipëria në raport me Bashkimin Europian", tha Basha.
Sipas tij, referuar numrit të përgjithshëm të hyrje-daljeve për festat e fundvitit dhe krahasuar me një vit më parë, u vu re rritje e numit të shqiptarëve që preferuan t’i kalojnë festat jashtë vendit pranë të afërmve dhe familjarëve të tyre, ndërsa u vu re, rënie e numrit të atyre që preferuan të hyjnë në Shqipëri gjatë fundvitit.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›