E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prefekti sulmon Sejdinin për bulevardin dhe shatërvanët

15/02/2011  Konflikti mes institucioneve, Deliallisi akuzon se shatërvanët janë vatër infeksioni

ELBASAN-Prefektura sulmon bashkinë për hapjen e bulevardit dhe për ndotjen e shkaktuar nga gropat e shatërvanëve në qendër të qytetit. Prefekti Shefqet Deliallisi ka shfrytëzuar mbledhjen e radhës së drejtorive për të ngritur shqetësimin e moshapjes bulevardit dhe për ndotjen që sjellin shatërvanët e ndërtuar gjatë verës në qytet.

Përplasja

Deliallisi u shpreh se kryetari i bashkisë Qazim Sejdini nuk po zbaton vendimin e Këshillit Bashkiak për hapjen e bulevardit dhe se tani kur kanë kaluar të gjitha afatet ai ka kërcënuar se do të ndërmarrë masa ligjore duke e hapur atë me forcën e ligjit segmentin që së fundi është e bllokuar nëpërmjet bllokuesve elektrikë. Por akuza të ashpra ka lëshuar Deliallisi për ndotjen që sipas tij këtë herë vjen nga shatërvanët në Elbasanit. Sipas tij, shatërvanët e ngritura nga Qazim Sejdini janë kthyer në moçal dhe vatra infeksioni dhe rrezikojnë jetën e qytetarëve. Në të njëjtën linjë me prefektin ka qenë edhe drejtori i Shëndetit Publik, Bujar Kllogjri, i cili tha se për këtë shqetësim i është dërguar shkresë bashkisë dhe prefekturës ku janë vënë në dijeni për rrezikun e tyre. Por ka reaguar menjëherë kryetari bashkisë Qazim Sejdini, i cili deklaroi se bulevardi ka një javë i hapur dhe se prefekti nuk është në dijeni të këtij fakti. Ndërsa për sa i përket shatërvanëve ai shtoi se ato janë shumë të domosdoshme për një qytet të ndotur si Elbasani, porse janë vetë qytetarët që duhet të tregohen më të përgjegjshëm që të mos hedhin plehra.

Konflikti për bulevardin mes Bashkisë dhe të djathtës vazhdon prej dy vjetësh. Bashkia ka kryer një investim të madh në qendrën e qytetit dhe kërkon zbrazjen nga automjetet të kësaj pjese të qytetit, duke e shfrytëzuar atë vetëm për kalimtarët, ndërsa të djathtët në Këshillin Bashkiak kanë kërkuar hapjen për qarkullimin e mjeteve. Së fundi, bulevardi është i qarkullueshëm me orare të kufizuara.

Gati listat

Zgjedhjet, mungojnë të majtët në KZAZ

ELBASAN- Fillon procesi i organizimit të zgjedhjeve vendore. Prefektura e qarkut të Elbasanit ka përfunduar procedurat për pastrimin e listave zgjedhore e ndërkohë edhe atë të vendndodhjes së qendrave të votimit. Prefekti i Qarkut të Elbasanit, Shefqet Deliallisi, u shpreh se të gjitha njësitë vendore të prefekturës kanë raportuar se nuk kanë problem me listat e zgjedhësve. Bazuar në numrin e zgjedhësve janë bashkuar qendrat e votimit në zonat ku ka rënë numri i votuesve dhe janë çelur të reja ku ka rritje të numrit të tyre. Por problem sipas prefektit mbetet krijimi i KZAZ-ve, pasi partitë politike të spektrit opozitar nuk kanë dërguar ende emrat e përfaqësuesve të tyre në KZAZ. Shefqet Deliallisi nënvizoi faktin se pavarësisht këtyre pengesave zgjedhjet më 8 maj janë të sigurta që do të zhvillohen. Por ndërkohë burime nga partitë që nuk kanë paraqitur emrat për KZAZ-të thonë se në këtë situatë zor se do të dërgohen emra komisionerësh. L. Lleshi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›