Basha: Liberalizimi i vizave, brenda vitit 2009
Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, informon shqiptarët se liberalizimi i vizave me vendet e Bashkimit Evropian do të marrë zgjidhje brenda këtij viti. Njëherësh, dhe procesi i aplikimit të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE, është një proces në përparim e sipër. Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Luksemburgut, Zhan Aselborn, ministri Basha konfirmoi se Luksemburgu mbështet politikën e liberalizimit të vizave nga Bashkimi Evropian për Shqipërinë. Z. Basha e njohu homologun e tij Aselborn me ecurinë e reformave dhe plotësimit të angazhimeve që ka vendi ynë në procesin e anëtarësimit në NATO dhe të integrimit në BE dhe përpjekjet për plotësimin e kritereve që kërkohen për liberalizimin e plotë të vizave mes Shqipërisë dhe BE-së. Z. Zhan Aselborn u prit dje edhe nga Presidenti Bamir Topi dhe Kryeministri Sali Berisha. Pasi bëri një përshkrim të reformave thelbësore të ndërmarra në vend, Presidenti Topi shprehu “mirënjohjen ndaj Luksemburgut për mbështetjen e vazhdueshme ndaj integrimit evropian dhe euroatlantik të vendit, të cilat janë përparësitë e sfidat kyçe të politikës së jashtme shqiptare”. Nga ana e tij, Aselborn, pasi falënderoi Presidentin Topi për mikpritjen, shprehu admirimin për përparimin e shënuar nga vendi ynë për sa u përket reformave bazë. Temë e rëndësishme e bisedës mes të dyve ka qenë edhe situata në rajonin ballkanik. Në këtë aspekt, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm e i Emigracionit të Luksemburgut nënvizoi rolin moderator dhe shumë të rëndësishëm të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në rajon për ruajtjen e paqes, qëndrueshmërisë dhe begatisë. Kurse gjatë takimit me Kryeministrin Berisha, diplomati i Luksemburgut u njoh me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për përmirësimin e klimës së biznesit dhe reduktimin e barrës fiskale. Gjithashtu, Kryeministri e vuri theksin në potencialet e mëdha që ofron Shqipëria për investime në energjitikë, turizëm dhe miniera.
Kryeministri vlerësoi më tej se nga ana politike viti 2008 ishte viti i reformave të mëdha. Me konsensusin e opozitës u miratuan reforma elektorale, reforma kushtetuese, ligji për prokurorinë dhe ligji për gjyqësorin. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Dukatit të Madh të Luksemburgut tha se janë nënshkruar dy marrëveshje me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë për trajnimin e bankierëve dhe diplomatëve të rinj, ndërsa theksoi se do të nxiten kontaktet mes dhomave të tregtisë. Z. Aselborn shprehu mbështetjen e plotë të Luksemburgut për liberalizimin e vizave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, ndërsa theksoi se vendi i tij do të ratifikojë Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO para muajit prill.