E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Liberalizimi i vizave në Ballkan, hap pozitiv

Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, përshëndeti nga Bullgaria hapjen e dialogut mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor për liberalizimin e vizave me këto vende. Zyra e shtypit e MPJ-së bëri të ditur se ministri Basha kryesoi delegacionin e vendit tonë në Samitin e Kryetarëve të Shteteve e të Qeverive të vendeve anëtare të SEECP dhe në punimet e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), që u zhvillua në Pomorie të Bullgarisë, më datat 20-21 maj 2008.

Ministri Basha theksoi në fjalën e tij se proceset integruese nuk janë të plota pa lehtësimin e lëvizjes së njerëzve, mallrave dhe shërbimeve. "Konkretizimi i këtij procesi duhet të vazhdojë të mbetet prioritet i bashkëpunimit mes vendeve të rajonit, nënvizoi ministri ai, duke përshëndetur nga Bullgaria hapjen e dialogut mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor për liberalizimin e vizave me këto vende". Basha shprehu vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të ecur përpara në procesin e reformave që bënë të mundur marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO. Ai shprehu bindjen se procesi i negociatave do të mbyllet me sukses, duke mundësuar nënshkrimin e protokollit të aderimit të Shqipërisë në NATO brenda një kohe të shkurtër.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›