E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Loja me imunitetin e ish-ministrit, e turpshme

Numri dy i grupit parlamentar socialist, Erion Braçe, denoncoi dje shtyrjen e qëllimshme të procedurave për heqjen e imunitetit të ish-ministrit Fatmir Mediu. "Në Kuvend endet edhe kërkesa e prokurorisë për leje, për të marrë nën procedim penal ish-ministrin e Mbrojtjes", konstatoi Braçe. Ai konstatoi se siç ishte paralajmëruar nga opozita, Kuvendi, me dëshirë dhe nën presionin e Berishës, po pengon hetimet për krimin shtetëror të Gërdecit, me 26 të vrarë e 300 të plagosur, të cilat kanë mbetur në vend. "Natyrisht, që ky pengim nuk po ndodh për shkak të rregullave parlamentare, por në mënyrë të qëllimtë po pengohet drejtësia nga Sali Berisha dhe familja e tij e përfshirë në këtë krim shtetëror", vlerësoi ai. Në këndvështrimi e numrit dy të deputetëve socialistë, Kryetarja e Kuvendit, natyrisht, si gjithnjë, po bën shërbesën e denjë të Sali Berishës të vënë kësaj radhe nën akuzë. Braçe denoncoi edhe krijimin e një precedenti tejet skandaloz për seriozitetin e shtetit shqiptar e më pas dhe të Kuvendit të Republikës. Vendi, vijoi ai, është pa President, pa Kryetar Kuvendi, ose më mirë i ka, por në garë për udhëtime jashtë shtetit. "Herë pas here kësaj gare i shtohet edhe Kryeministri. Nuk e di se për çfarë arsyeje të rëndësishme Presidenti ndodhej në Maltë apo Kryetarja e Kuvendit në një udhëtim familjar malli në Strasburg", ngriti pyetjen ai. Ky precedent, këmbënguli Braçe, tashmë ka fituar qytetari të turpshme, ku është përsëritur disa herë, me paratë publike të shqiptarëve, që edhe një vit më tepër, nuk nxjerrin dot muajin për shkak të varfërisë. Ai deklaroi faktin se biletat e udhëtimit familjar të tyre vlejnë sa 120 pensione minimale në qytet dhe 240 në fshat. Socialistët nuk lënë jashtë vëmendjes as faktin se që prej 70 ditësh nuk ka zëvendëskryeministër, çka dëshmon krizën e rëndë qeverisëse, ministri i Mbrojtjes nuk është, i Jashtmi është jashtë dhe i Financave po ashtu. Braçe kujtoi se sot (dje) ishte dita e përcaktuar nga Kuvendi për punë në seancë plenare. "Por, sot Kuvendi nuk punon, sepse Kryetarja e tij është në udhëtim familjar malli jashtë shtetit, me paratë publike të shqiptarëve. Edhe ky fakt, i turpshëm - që kur Kryetarja ikën jashtë shtetit dhe Kuvendi ndërpret seancën plenare, është i përsëritur", theksoi Braçe. Ai këmbënguli se në Kuvend është momenti të shqyrtohej dhe miratohej ligji për pensionet e parakohshme të minatorëve, propozuar nga socialistët dhe që synon afrimin e masës financiare të paguar për ta me pensionin minimal të pleqësisë në qytet. Grupi parlamentar i Partisë Socialiste kërkon që krerët e shtetit, së bashku me ministrat e tyre, të ndalojnë udhëtimet familjare dhe të kthehen menjëherë në punë. Së dyti, të mos pengojnë më, siç kanë bërë deri tani, institucionet e drejtësisë, veçanërisht ato që po hetojnë krimin e tmerrshëm shtetëror në Gërdec, të kryejnë detyrën. "Pra, sa më parë të rikthehen në punë, në procedurat parlamentare, që i mundësojnë prokurorisë vijimin e hetimeve për krimin shtetëror të Gërdecit", kërkoi Braçe.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›