E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bumçi: Prokuroria, jo në varësi të Ekzekutivit

"Prokuroria është mirë si institucion i pavarur dhe nuk duhet të ekzistojë ideja e kalimit të këtij institucioni në varësi të Ekzekutivit". Ky është mesazhi i radhës i përcjellë nga ish-ministri i Drejtësisë dhe deputeti i PD-së, Aldo Bumçi, në kuadër të reformës në drejtësi. Qëndrimit të deputetit Bumçi i bashkëngjiten një grup deputetësh të djathtë, të cilët kundërshtojnë fuqishëm kalimin e Prokurorisë së Përgjithshme në varësi të qeverisë. Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, thekson se një ide e tillë nuk ekziston dhe për të bërë një hap të tillë duhet që të bëhen ndryshime në Kushtetutë, pasi dokumenti themeltar i shtetit e konfirmon shumë mirë se prokuroria është një institucion kushtetues i pavarur. Debati për kalimin e organit të akuzës në varësi të ekzekutivit është hapur nga brenda strukturave të PD-së, gjithsesi ende nuk është artikuluar qartë në publik se çfarë do të thotë kjo nismë në përgjithësi. Ministria e Drejtësisë ka përpiluar projektligjin e reformës në drejtësi dhe tashmë është në gjysmën e punës së ndërtimit të plotë të tij. Kuvendi ka kërkuar urgjent që projektligji të shkojë sa më parë në Parlament dhe menjëherë, Kryeministri Berisha ka kërkuar nga organet kompetente që të nisin sa më parë punën. Duke sjellë ndërmend disa modele të ndryshme, siç është në SHBA që prokurori zgjidhet nga Presidenti, deputeti Sula është shprehur se edhe këtu te ne kjo traditë duhet të vazhdojë, pra zgjedhja dhe varësia e institucionit të akuzës të jetë kështu siç është aktualisht. Ai mendon se tashmë reformimi politik i është bërë këtij institucioni nga Kuvendi, duke i vënë kufizimin e mandatit prej pesë vjetësh, dhe tani le të nisë puna për reformimin institucional dhe profesional të këtij organi kushtetues. Sipas Sulës, nëse ndryshon varësia e institucionit të akuzës tek ekzekutivi, atëherë duhet të bëhen edhe disa ndryshime të tjera, pasi Kushtetua nuk e lejon një gjë të tillë. Organi i prokurorisë, tha deputeti demokrat, duhet të jetë i pavarur, pasi edhe funksionimi i saj do të jetë më pozitiv. Kjo sipas tij vërtetohet edhe nga hetimet që organi i akuzës ka ndërmarrë aktualisht edhe ndaj zyrtarëve më të lartë të shtetit, siç janë deputetët dhe ministrat.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›