E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi dekreton dy anëtarë të rinj të Gjykatës së Lartë

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka dekretuar dje dy anëtarë të rinj të Gjykatës së Lartë. Ata janë Medi Bici dhe Altina Xhoxhaj. Lajmi bëhet publik nga zyra e shtypit e Presidencës, e cila thekson se në bazë të neneve 93 dhe 136, pika 1 e Kushtetutës, kreu i shtetit ka firmosur këto dekrete. Para një jave, Presidenti i Republikës ka emëruar edhe tre gjyqtarë të tjerë në Gjykatën e Lartë, duke plotësuar kështu vendet vakant, pas mbarimit të mandatit të gjyqtarëve të mëparshëm. Anëtarët e rinj, të cilët u dekretuan nga Presidenti Topi gati një javë më parë ishin Artan Zeneli, Zamir Poda dhe Kristaq Traja. Pak javë më parë, opozita i ka kujtuar Presidentit Topi që të bënte dekrete për vendet bosh në Gjykatën e Lartë. Sipas tyre, këto emërime duhet të ishin profesioniste dhe jo politike. Pas këtyre dekreteve, duket se Presidenti Topi është treguar profesionist dhe aspak me ndikime politike, pasi opozita dhe partitë e tjera nuk kanë bërë asnjë deklaratë publike për të kundërshtuar këto emërime.

Altina Xhoxhaj është gjyqtare me përvojë në Gjykatën e Rrethit të Tiranës, ndërkohë që prej kohësh ajo është zgjedhur edhe si anëtare e Këshillit të Lartë të Drejtësisë nga Konferenca Gjyqësore. Konferenca Gjyqësore Kombëtare zgjodhi mes gjashtë kandidaturave të tjera zonjën Altina Xhoxhaj, gjyqtare e Gjykatës së Tiranës, e cila ka marrë 82 vota. Ndërkaq Medi Bici është prej kohësh një nga kandidaturat për t‘u zgjedhur në korpusin më të lartë të gjyqësorit. Ai deri tani ka punuar gjyqtar në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda. Më parë ka punuar për rreth dhjetë vjet në Gjykatën e Faktit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›