E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Referendumi, javën e ardhshme depozitojmë kërkesën

Drejtuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim pritet që të depozitojnë javën e ardhshme kërkesën për mbajtjen e referendumit në lidhje me ndryshimet në Kushtetutë. Kreu i kësaj partie, Ilir Meta, tha se deri më tani është pritur afati pas botimit në Fletoren Zyrtare për ndryshimet kushtetuese. Aplikimi, sqaroi ai, do të bëhet në formularë të rregullt që të fillojë procesi i referendumit në të gjithë vendin. Meta komentoi edhe takimin e para pak ditëve mes Kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka. "Mua nuk më bën asnjë përshtypje që zoti Ceka paska pirë një kafe me zotin Berisha", tha Meta. Ai shtoi se dje (pardje) ka takuar zotin Ceka dhe i ka thënë që ka qenë te zoti Berisha për t‘i kërkuar firmën për referendum. "A do të hedhë firmën zoti Berisha, unë nuk jam shumë optimist, se kjo nuk më intereson shumë. Nuk jam optimist, sepse Berisha ka frikë nga referendumet", këmbënguli Meta. Ju e dini, vijoi ai, ka humbur dy referendume me popullin shqiptar dhe i vetmi institucion që Berisha sot nuk kontrollon dot në Shqipëri janë referendumet, një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë civile dhe Lëvizja Socialiste për Integrim dhe disa faktorë opozitarë. Deri më tani funksionarët e lartë të kësaj partie kanë punuar me strukturat në bazë për krijimin e një fryme sa më mbështetëse në nismën e tyre për mbajtjen e referendumit. Këtij qëndrimi i janë bashkangjitur edhe Partia Demokracia Sociale dhe Partia Aleanca Demokratike. Sakaq, anëtarët e lëvizjes për politikë institucionale në PS, të drejtuar nga Petro Koçi, kanë filluar të angazhohen në kuadër të këtij aksioni politik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›