E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Berisha, peng i Sefgjinit

Çështja "Sefgjini" ka qenë dje kryefjala e Ilir Metës në komunikimin me median. Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim denoncoi Kryeministrin Berisha për mbështetjen e hapur që po i jep një të akuzuari për vrasje nga organet e drejtësisë. Sipas tij, Arben Sefgjini rezulton nga procesi gjyqësor gjithnjë e më i implikuar në rrëmbime të qytetarëve shqiptarë, në dhunime fizike të tyre. "Por njëkohësisht guxon të bëjë edhe shantazh mbi dëshmitarët dhe mbi organet e drejtësisë, duke qenë i sigurt në mbështetjen pa kushte që i ofron Kryeministri Sali Berisha", theksoi Meta. Ai u ndal te kërcënimet e fundit, të bëra publike, ndaj familjes së prokurorit Xhevat Hana, apo kërcënimet e bëra ndaj dëshmitarëve në çështjen e qytetarit shqiptaro-maqedonas të zhdukur, Remzi Hoxha, ashtu sikurse edhe denoncimet e bëra publike nga qytetari i rrëmbyer më urdhër të Sefgjinit, Zizo Kristopulli. Këto, nënvizoi Meta, tregojnë shumë qartë se kemi të bëjmë me implikim të Sali Berishës në mbrojtjen e këtij njeriu të akuzuar, jo vetëm nga prokuroria, por edhe nga dëshmitarët e asaj periudhe të errët. "Kur njerëzit rrëmbeheshin nga Shërbimi Informativ, sikurse të rrëmbeheshin nga banda dhe keqtrajtoheshin në mënyrë ç‘njerëzore nga ‘Sefgjinët‘ me porosi të Berishës", tha Meta. Në këndvështrimin e LSI-së kjo tregon qartë se përgjegjësia e Kryeministrit sa vjen dhe rritet në një çështje që inkriminon shtetin e asaj kohe, dhe në radhë të parë atë që ka qenë në krye të së gjithë piramidës shtetërore. Meta përsëriti sërish kërkesën për shkarkimin e drejtorit të përgjithshëm të Tatimeve. "Në rast se do të ketë probleme me familjet e prokurorëve, të gjyqtarëve, që me kurajë kanë nisur këtë proces, apo ndaj dëshmitarëve në këtë çështje shumë të rëndësishme për të pastruar shtetin shqiptar nga një inkriminim i pushtetarëve të papërgjegjshëm të asaj kohe, Sali Berisha do të mbajë përgjegjësitë e tij, jo vetëm politike", paralajmëroi Meta. Ai solli në vëmendje faktin se zoti Sefgjini ka rrahur personalisht qytetarët, sikurse është edhe rasti i dëshmitarit, zotit Ziso Kristopulli, i cili për fat të mirë ka shpëtuar gjallë. "Ju siguroj që zoti Berisha është peng i zotit Sefgjini, pasi në rast se të tjerët do të dëshmojnë se si janë urdhëruar nga shefi i tyre më i vogël Sefgjini, për të rrëmbyer qytetarët dhe për t‘i keqtrajtuar, ky i fundit, me sa duket ka rrezik të tregojë se kush e ka urdhëruar atë për të kryer rrëmbimet", tha Meta. Duke ju referuar kërcënimeve që u janë bërë personave të prekur drejtpërdrejtë nga kjo çështje, ish-kryeministri vlerësoi se këto "nuk mund të jenë individuale pa mbrojtjen e kupolës të korruptuar shtetërore, që përfaqësohet sot nga Kryeministri Berisha". LSI-ja denoncoi ruajtjen e imunitetit që kreu i ekzekutivit po i bën Sefgjinit, i cili nuk ka një akuzë të çfarëdoshme mbi supe, për shpërdorim detyre apo diçka më të thjeshtë dhe më të përgjithshme, por ka një akuzë për implikim për vrasjen e një qytetari, duke qenë në një funksion të rëndësishëm shtetëror.

Replikat

Meta kërcënon me gjyq

Meta i ktheu dje përgjigje Kryeministrit Berisha në lidhje me akuzat e lëshuara dy ditë më parë se kishte shfrytëzuar postin e kreut të qeverisë për përfitime personale. "Kam dëgjuar nga një televizion se Berisha paska bërë akuza ndaj meje për përfitime lidhur me tokat në bregdet", tha Meta. Në rast se do të kisha një sinkron nga zoti Berisha, shtoi ai, ju siguroj se ai do të ishte paditur që sot në gjyq. Kreu i LSI-së tha se me paratë që do t‘i fitonte patjetër në gjyq nga dëmshpërblimi për këtë shpifje, do të kontribuonte për rehabilitimin e pasojave të Gërdecit, ku siç dihet për fat të keq humbi jetën dhe baxhanaku i Kryeministrit tonë. "Nëse Berisha ka vërtet prova, të cilat kanë të bëjnë me përfitime të ish-kryeministrit Meta, apo të kujtdo qoftë, në atë kohë dhe në çdo kohë, duhet t‘i çojë në prokurori", u shpreh Meta.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›