E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Marrëveshje për lëvizje pa viza në rajon

 

Tirana zyrtare është gati të nënshkruajë marrëveshje për heqjen e regjimit të vizave me të gjitha vendet e rajonit. Këtë e bëri të ditur dje Ministri i jashtëm, Lulzim Basha, në fjalën e tij në konferencën e përvitshme të ambasadorëve. Sipas kreut të diplomacisë shqiptare, heqja e regjimit të vizave me vendet e rajonit sjell vetëm efekte pozitive. "Ne kemi kërkuar, jemi të gatshëm dhe presim që me të gjitha vendet e rajonit të negociojmë e përfundojmë marrëveshje të lëvizjes së lirë, siç kemi bërë këtë vit me Maqedoninë, duke e "shengenizuar" sa më parë rajonin tonë. Konkretizimi i hapave në këtë drejtim duhet të vazhdojë të jetë një nga prioritetet e bashkëpunimit të vendeve tona për periudhën afatshkurtër", u shpreh Basha. Madje Ministri i Jashtëm solli edhe një shembull. "Është paradoksale dhe e pashpjegueshme, që ndërkohë që avancojmë në dialogun e liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian, ne ende nuk e kemi arritur këtë mes nesh. Nga Tirana deri në kufirin Slloven duhen kaluar 5 pika kufitare, 5 kontrolle, 5 ndalesa me orë të tëra të humbura, sidomos gjatë sezonit turistik, ndërkohë që nuk ka asnjë të tillë nga Sllovenia deri në pikën më të lartë në Finlandë", theksoi Basha. Duke u ndalur në zhvillimet e brendshme për këtë vit, kreu i Ministrisë së Jashtme tha se ekonomia shqiptare ka një rritje me ritmet nga më të shpejta në rajon. Sipas tij, klima ndaj biznesit është shumë e mirë dhe investitorët e huaj kanë rritur interesin për të investuar në Shqipëri. Lidhur me reformën në drejtësi dhe atë zgjedhore, të cilat janë edhe dy kushtet për anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Evropian, Basha u shpreh se ato po përparojnë me shpejtësi dhe kanë një konsensus të fuqishëm politik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›