E Diel, 1 Nëntor 2026

Varrezat, kusht për MSA-në

 

bledar hoti

Çështja e pazgjidhur ende e eshtrave të ushtarëve grekë të rënë në Shqipërinë e Jugut, gjatë luftës italo-greke, duket se është një nga pikat delikate në marrëdhëniet dypalëshë, që do të kushtëzojë miratimin nga parlamenti grek të Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit me BE-në dhe të Protokollit për Anëtarësimin në NATO. Televizioni "Top Channel" bën të ditur se nënkryetari i parlamentit grek, Jorgos Surlas, duke folur në "TV Alfa", deklaroi se do të votonte kundër marrëveshjes së Shqipërisë dhe BE-së, nëse qeveria shqiptare nuk mban premtimin për varrezat greke dhe për ngritjen e memorialëve. Ai deklaroi se kishte marrë mbështetjen e autoriteteve shqiptare, përfshi Presidentin e vendit, Bamir Topi dhe Kryeministrin Berisha për gjetjen e eshtrave dhe miratimin e ngritjes se memorialëve dhe varrezave për ushtarët e rënë në luftë. "Por nëse kjo çështje nuk zgjidhet, unë do të votoj kundër ratifikimit të Marrëveshjes së Asocim-Stabilizimit të Shqipërisë me BE-në", deklaroi Surlas. Greqia është një nga tre vendet që nuk ka ratifikuar ende marrëveshjen e MSA-së me BE-në. Shkaku i mosvotimit, përveçse zhvillimeve në rajon, mund të lidhet dhe me eshtrat e ushtarëve grekë të Luftës së Parë Botërore. Dita e djeshme, 28 tetori, është dita që në Greqi përkujton fillimin e luftës italo-greke. Rreth 8 mijë ushtarë grekë u vranë në territorin shqiptar gjatë luftimeve me italianët dhe që nga viti 1984 kanë nisur kërkimet për gjetjen e eshtrave të tyre. Të dy vendet kanë ngritur dhe një komision të përbashkët për këtë qëllim, por rezultatet nuk kanë qenë konkrete dhe mungesa e transparencës në punën e tij ka krijuar madje edhe skandale, si ai i Kosinës. Ku pati disa arrestime, pasi eshtrat e shqiptarëve po shiteshin si të ushtarëve grekë. Nga ana tjetër, shteti shqiptar nuk ka pasur asnjë reagim në lidhje me vonesat e ratifikimit të MSA-së nga Greqia, vendi fqinj, duke mos dhënë arsye konkrete për këto vonesa. Edhe pse diplomacia shqiptare kishte si primare ratifikimin e MSA-së nga vendet anëtare të BE-së brenda vjeshtës së këtij viti, kjo gjë pritej se do të realizohej nga janari i vitit të ardhshëm. Greqia, Gjermania dhe Franca janë vendet që s'kanë ratifikuar ende MSA-në mes Shqipërisë dhe BE-së, duke bërë që është kërkesa zyrtare për statusin e kandidatit për një vend të BE-së të mbesë ende pezull.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›