Patentat në Itali, kush do të përfitojë
Fabiola Çela
Shqiptarët që kanë marrë lejen e drejtimit të makinës apo siç thuhet ndryshe patentën, së shpejti do të mund të udhëtojnë lirshëm në Itali dhe Greqi, pasi ky dokument do t'u njihet edhe në vendet fqinje. Në këtë mënyrë, shqiptarët nuk do të kenë më nevojë të përdorin patenta ndërkombëtare kur kalojnë kufirin.
Marrëveshja
Dy ditë më parë, kreu i Ministrisë së Transporteve, Sokol Olldashi dhe ambasadori italian, Saba D'Elia nënshkruan "Marrëveshjen për njohjen reciproke dhe konvertimin e lejeve të drejtimit të automjeteve". Marrëveshja u nënshkrua në prani të ministrit të Jashtëm italian, Franco Fratini. Sipas drejtuesve të Ministrisë së Transporteve, kjo marrëveshje do të ketë një impakt të drejtpërdrejtë dhe të menjëhershëm për komunitetin shqiptar në Itali, si dhe për të gjithë drejtuesit e mjeteve, të cilët shkojnë për qëndrim provizor në Itali. Nga kjo marrëveshje do të përfitojnë një kategori e caktuar shqiptarësh. Kështu, shqiptarët që janë rezident në Itali, ose ata që shkojnë për studime ose qëndrime të gjata, në bazë të marrëveshjes u njihet e drejta të përdorin për 1 vit patentën shqiptare dhe pas një viti ajo mund të konvertohet pa pagesë automatikisht me patentën italiane, si dhe e kundërta. Ndërsa shqiptarët që kanë më shumë se tre vjet që jetojnë në Itali, por që për fat të keq nuk kanë mundur të marrin patentën italiane, por që disponojnë patentën shqiptare, u njihet e drejta e konvertimit pa kryer kurset e autoshkollave. Por me kusht që të japin një provë mbi aftësitë dhe shprehitë e drejtimit të automjetit. Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Transporteve, marrëveshja lidhur me njohjen reciproke apo konvertimin e leje-drejtimit shqiptar me leje-drejtimi italiane ka goxha anë pozitive dhe për të gjithë drejtuesit e automjeteve profesionistë shqiptarë, të cilët janë në emigracion në Itali, (që disponojnë kategoritë B, C, D, D+E), do të përfitojnë në kohë, pasi marrja e të gjitha kategorive të lejes së drejtimit italiane, bazuar në legjislacionin italiane, kërkon plotësimin e intervaleve kohore nga një kategori në tjetrën, kohë e cila është 2-3 vjet.
Greqia
Përveç konvertimit të lejeve të drejtimit të automjeteve me Italinë, qeveria shqiptare ka kërkuar që e njëjta gjë të bëhet edhe me shtetin helen. Kështu, në mbledhjen e komisionit greko-shqiptar u vendos që të fillojnë të njëjtat procedura edhe me Greqinë. Finalizimi i kësaj marrëveshjeje do të ishte një lajm i mirë për të gjithë shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Greqi.
Përfitimet e shqiptarëve nga marrëveshja
Qeveria shqiptare mësohet se ka aplikuar në organet kompetente komunitare për njohjen në nivel komunitar të lejes shqiptare të drejtimit. Njohja reciproke e patentave nënkupton mospërdorimin e mëtejshëm të patentave ndërkombëtare. Numri i përdoruesve që shkojnë në Itali të kësaj patente për vitin 2007 ka qenë mesatarisht rreth 26.000, ndërsa për vitin 2008 ka qenë rreth 16 mijë. Marrëveshja parashikon shumë procedura lehtësuese për sa i përket marrjes së dokumenteve të vërtetësisë, duke eliminuar endjet dhe shpenzimet suplementare në zyrat tona konsullore, por do të tërhiqen drejtpërdrejt nga zyrat e Motorizacionit Civil.
perfituesit
Shqiptarët rezident ose për ata që shkojnë për studime, ose qëndrime të gjata në Itali, u njihet e drejta të përdorin për 1 vit patentën shqiptare dhe pas një viti ajo mund të konvertohet pa pagesë automatikisht me patentën italiane dhe kjo është reciproke.
Shqiptarët që kanë më shumë se tre vjet që jetojnë në Itali, por që nuk kanë mundur të marrin patentën italiane, por që kanë atë shqiptare, do t'u njihet e drejta e konvertimit pa kryer kurset e autoshkollave, por duke dhënë një provë mbi aftësitë dhe shprehitë e drejtimit të automjetit.
Drejtuesit e automjeteve profesionistë shqiptarë, të cilët janë në emigracion në Itali, (që disponojnë kategoritë B, C, D, D+E), do të përfitojnë në kohë, pasi marrja e të gjitha kategorive të lejes së drejtimit italiane, bazuar në legjislacionin italian, kërkon plotësimin e intervaleve kohore nga një kategori në tjetrën, kohë e cila është 2-3 vjet.