Reforma Zgjedhore, shtyhet sërish afati
BLEDAR HOTI
Mandati i komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore mund të shtyhet për një javë për shkak të mosarritjes së konsensusit për paketën e plotë. Kur kanë mbetur edhe dy ditë nga mbarimi i afatit të mandatit të komisionit, bashkëkryetari demokrat Ilir Rusmali lë të hapur mundësinë e shtyrjes së këtij afatit. Ai bëri të ditur dje se, "mandati i komisionit mund të shtyhet nga Kuvendi vetëm për një javë, për të realizuar miratimin e këtij Kodi në fillim të muajit nëntor". Rusmali bëri të ditur se akoma nuk ka kontaktuar me grupin e ekspertëve nëse është realizuar hartimi i plotë i draftit. Sipas tij, nëse mbledhja nuk zhvillohet për këto dy ditë, atëherë Kuvendit do t'i duhet që të shtyjë mandatin për një javë. Sipas burimeve pranë komisionit, mësohet se përplasjet mes PS-së dhe PD-së për nenet e Kodit të ri Zgjedhor janë thjesht teknike, çka ka bërë që drafti final të mos jetë përpara anëtarëve të komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore. Po sipas të njëjtave burime, mbledhja e komisionit varet pikërisht nga ekspertët e komisionit, PD dhe PS. Disa ditë më parë, kreu i prezencës së OSBE-së, Robert Bosch, bëri të ditur se kishte marrë premtimin e dy bashkëkryetarëve për realizimin e Reformës Zgjedhore, se paketa ligjore do të votohej në Kuvend brenda ditëve të parë të nëntorit. "Gjatë takimit që pata me drejtuesit e komisionit të posaçëm, ata më siguruan që do të jetë në Parlament në javën e parë të muajit nëntor. Kështu që mbetem optimist", deklaroi disa ditë më parë Bosch. Vonesat në miratimin e Kodit kanë sjellë dhe alarmimin e ndërkombëtarëve, ku vetë Bosch është angazhuar në takimet me drejtuesit e komisionit të posaçëm për të përshpejtuar punën sipas afateve të parashikuara nga vetë Kuvendi. Edhe pse ambasadori i OSBE-së mbetej optimist për votimin e paketës elektorale në fillim të nëntorit, duket se Kodi i ri Zgjedhor duhet të presë dhe disa ditë të tjera. Dy partitë e mëdha kanë rënë dakord që procesi i numërimit të votave të filmohet. Metoda e re pritet të paraqitet në Komisionin e posaçëm të Reformës Zgjedhore. Sipas projektit të diskutuar ndërmjet ekspertëve socialistë dhe demokratë, "çdo votë që numërohet drejtohet në kamera dhe ajo shfaqet në monitor". Palët e interesuara edhe nëse nuk janë të përfaqësuara në grupet e numërimit do të kenë mundësi, që përmes monitorit të kontrollojnë çdo votë gjatë numërimit. I gjithë procesi i numërimit do të regjistrohet dhe nëse partitë politike do të kenë kontestime, atëherë kasetat filmike do t'i shkojnë përpara Gjykatës për verifikim. Reforma Zgjedhor duhej të realizohej përpara mbajtjes së progres raportit të BE-së për Shqipërinë. Komisioni Evropian e mban atë më datë 5 nëntor. Edhe pse maxhoranca dhe Ekzekutivi shqiptar kishin pikërisht këtë synim që ta miratonte Kodin e ri Elektoral pikërisht përpara mbajtjes së këtij raporti, duket se nuk do t'i shpëtojë apelit të ndërkombëtarëve për arritjen e shpejtë të konsensusit PD-PS për këtë reformë. Zgjedhjet e ardhshme sipas standardeve, realizimi i tyre mbi bazën e dokumenteve të reja identifikuese, me kartat e identitetit mbetet sfida e qeverisë, që do të ndikojë në proceset e integrimit euro-atlantik.
axhenda e komisionit
Janë miratuar në komision
• Fushatat elektorale
• Fondet e partive politike
• Regjistrimi i partive dhe koalicioneve
• Regjistrimi i kandidatëve
• Numërimi i votave me anë të kamerave
Nuk janë votuar në komision
• Përbërja e KQZ-së
• Përbërja e anëtarëve të komisioneve të niveleve të dyta dhe të treta
• Formula e ndarjes së votave, të mandateve shtesë
• Numri i deputetëve sipas qarqeve