E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Nuk kam betejë me Sali Berishën

 

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha dje se mes tij dhe Kryeministrit Berisha nuk ka asnjë betejë, por beteja e vërtetë është mes të shkuarës dhe të ardhmes. Rama ka zhvilluar një takim në qytetin e Gramshit me banorë të këtij qyteti, ku është shprehur për një bashkim të ri, përtej mureve ndarës që kanë vendosur partitë mes njerëzve, duke i lënë çdo ditë e më shumë në varfëri, papunësi e mungesë perspektive. "Beteja nuk është një betejë mes Edi Ramës dhe Sali Berishës. Kjo është një betejë mes familjeve shqiptare dhe varfërisë, mes familjeve shqiptare dhe papunësisë, mes familjeve shqiptare dhe injorancës, mes familjeve shqiptare dhe korrupsionit e dhunës, mes familjeve shqiptare dhe së nesërmes, që familjet shqiptare të mund të gdhihen pa ankthin e bukës, pa ankthin se me çfarë do ta çojnë fëmijën në shkollë, pa ankthin se çfarë do të bëjë fëmija pasi të mbarojë shkollën, pa ankthin e papunësisë, pa ankthin se si do ta çojnë të moshuarin në spital, sepse analizat nuk bëhen më në spital dhe aspirina jepet me pagesë", u shpreh Rama. Kreu i socialistëve u shpreh se partia që ai drejton duhet të fitojë betejën jo me Berishën por me papunësinë e varfërinë. Sipas tij "Partinë Socialiste do ta kthejmë në një rrjet njerëzish të rinj. Partinë Socialiste do ta kthejmë në një instrument në duart e qytetarëve. Partinë Socialiste do ta kthejmë në një lokomotivë të ndryshimit, që i jep mundësi çdo qytetari të kontribuojë për ndryshimin. Kjo është një familje e madhe, duhet të bëhet edhe më e madhe, duhet të ketë vend për të gjithë dhe secili duhet t'i bëj vetes vend sipas dëshirës së tij".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›