E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Mbështesim angazhimet ndërkombëtare

02/04/2009  Konferenca për Afganistanin

Ministri i Punëve të Jashtme Lulzim Basha ka marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Afganistanin, zhvilluar në Holandë. Kreu i diplomacisë shqiptare ka shprehur mbështetjen e qeverisë shqiptare në kuadër të angazhimit ndërkombëtar në Afganistan. Duke iu referuar edhe takimeve të mëparshme ndërmjet Kryeministrit Berisha dhe presidentit Karzai, ministri Basha tha se përveç kontributit aktual në Afganistan qeveria shqiptare do të rrisë numrin e trupave edhe me një kompani tjetër, si dhe do të ofrojë bursa studimi për studentët afganë dhe do të asistojë në forcimin e shoqërisë civile. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit pranë MPJ-së, kryediplomati shqiptar, sikundër dhe pjesëmarrësit e tjerë në konferencë, e vlerësoi strategjinë e re të administratës amerikane për Afganistanin një kontribut të rëndësishëm në rritjen e efektivitetit të veprimtarisë së bashkësisë ndërkombëtare në Afganistan. Në këtë kontekst, ai theksoi rëndësinë e adresimit të përbashkët të çështjeve civile e ushtarake dhe vendosjes së tyre në një perspektivë rajonale. Gjatë qëndrimit në Hagë ministri i Jashtëm u takua dhe bisedoi me ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Italisë, Suedisë, Australisë, Sllovakisë etj. Në fokus të këtyre takimeve ishin marrëdhëniet dypalëshe dhe integrimi europian i Shqipërisë.

Në këtë Konferencë, e cila u bashkorganizua nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, qeveria e Afganistanit dhe qeveria holandeze, morën pjesë mbi 80 delegacione të nivelit të lartë nga vende dhe organizata ndërkombëtare kontribuuese në misionet ndërkombëtare në Afganistan. Konferenca riafirmoi angazhimin solid dhe afatgjatë të bashkësisë ndërkombëtare në mbështetje të qeverisë së Afganistanit dhe përcaktoi si prioritete kryesore promovimin e mirëqeverisjes, forcimin e institucioneve afgane, gjenerimin e rritjes ekonomike, forcimin e sigurisë dhe rritjen e bashkëpunimit rajonal.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›