E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mat, Patozi: Përballë, një PS e lodhur me kryetar të korruptuar



Nënkryetari i Partisë Demokratike, Astrit Patozi, vijoi takimet me banorë të komunave Gurrë e Suc të rrethit të Matit, nga ku deklaroi se kundërshtarët politikë janë shndërruar në një parti të lodhur që flet nëpërmjet një kryetari të korruptuar. Patozi tha se Rama nuk ka as guximin që të japë dorëheqjen si kryetar bashkie. “Një Parti Socialiste e lodhur që flet vetëm përmes një njeriu, kryetarit të saj, Edi Rama, simbol i korrupsionit. Ai tashmë, i sigurt në humbjen e afërt kërkon të ruajë Bashkinë e Tiranës me çdo kusht, pa guxuar të japë dorëheqjen e të përballet me verdiktin e popullit si kandidat për deputet”, - deklaroi Patozi. Më tej ai u shpreh i sigurt në fitoren e PD-së. Sipas tij, kjo qeveri mbajti premtimet dhe përfaqësuesit e PD-së dalin sot ballëhapur përpara votuesve për t’u kërkuar sërish votën më 28 qershor. “Klimën e mbështetjes, atmosferën e fitores dhe besimin që kanë njerëzit te Partia Demokratike e kam ndier në çdo qytet, komunë e fshat ku kam qenë që nga jugu e në veri”, - tha Patozi. Ai tha më tej se në komunën Gurrë, edhe pse pushtetin vendor e kanë përfaqësuesit e Partisë Socialiste, është investuar katër vitet e fundit dy herë më shumë se gjatë periudhës 97-2005. “Ky është ndryshimi ynë me kundërshtarët tanë, - tha Patozi, - ne nuk i kemi trajtuar kurrë qytetet, komunat apo fshatrat si ca të nënës e ca të njerkës, si demokratë apo socialistë, por gjithnjë jemi bazuar tek nevojat e njerëzve, përmirësimi i jetës së tyre dhe projektet e paraqitura”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›