E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emërimet në drejtësi, zhgënjehet Topi



Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zgjodhi ditën e krijimit të drejtësisë shqiptare, për të bërë një bilanc në punën e institucioneve, ku përpara drejtuesve më të lartë të tyre, ai shprehu zhgënjim. Në fjalën e tij, Topi u shpreh i hidhëruar që shumë prej zyrtarëve shprehin gatishmëri në ditën e emërimit të tyre, por që sipas tij, kjo gatishmëri venitet me kalimin e kohës. Këtë fakt Topi e lidhi me karakterin e dobët të garantëve të ligjit, që sipas tij, duhet t’u largohen pazareve të vogla që ndeshen sot në korridoret e drejtësisë shqiptare. “Nuk mungojnë rastet kur në çastet e emërimit janë shumë të predispozuar, - tha Topi, - ndërsa në momentet kur ushtrojnë veprimtarinë e tyre, sigurisht që nxjerrin mangësi. Pra, para se të demonstrojnë standarde të tjera, duhet të demonstrojnë standardin e karakterit. Kështu që përballoni me karakter të fortë dhe disiplinë të gjitha sfidat që ka sistemi i drejtësisë!” Kreu i shtetit u bëri thirrje në mënyrë të hapur drejtuesve më të lartë të drejtësisë, që t’u përkushtohen çështjeve të rëndësishme. Ai tha se fjala e tij në mënyrë të drejtpërdrejtë nuk duhet interpretuar si moralizuese. “Përkushtojuni çështjeve të rëndësishme, parimore dhe largojuni sa më shumë çështjeve sekondare, që kanë të bëjnë me pazare të vogla që ne i ndeshim sot tek-tuk në sistemin e drejtësisë! Fjala ime nuk është aspak moralizuese. Jam i bindur që të gjithë përfaqësuesit më të rëndësishëm të sistemit të drejtësisë, ata që kanë bërë emër në sistemin e drejtësisë, natyrisht dhe brezat e rinj, të cilët kanë demonstruar forcë dhe karakter e çojnë dhe e përçojnë këtë mesazh sot”, - deklaroi Topi.

Një tjetër pikë që kreu i shtetit preku me krerët e institucioneve të drejtësisë, ishte pavarësia, themeli i punës së tyre. Ai përmendi debatin që sistemi ka hasur gjatë këtyre viteve, duke kërkuar qëndresë dhe objektivitet. Topi kërkoi që pavarësia e tyre të mos preket nga askush. “Fakti që drejtësia po merr nota pozitive tregon që po i afrohet vlerave të objektivitetit. Ne themi shpesh që gjyqësori dhe sistemi i drejtësisë duhet të jenë të pavarur. Kjo mund të shikohet në dy këndvështrime. Pavarësi nga politika, pavarësi nga klanet e caktuara ekonomike, por nga ana tjetër duhet të shikohet edhe si një pavarësi që varet totalisht nga individi, që punon në sistemin e drejtësisë. Sistemi që po ndërtojmë çdo ditë, rrit pavarësinë e institucioneve të drejtësisë”, - tha kreu i shtetit shqiptar.

Gjithsesi, Topi vlerësoi punën e institucioneve, që sipas tij, vitet e fundit kanë rritur besimin e qytetarëve shqiptarë. “Sigurisht që ka pasur progres dhe duke iu referuar një viti më parë, kjo shikohet tek sondazhet e opinionit publik, i cili ka pasur një rritje të ndjeshme gati në shifrat 20%. Nuk dëshiroj që të personalizohet, por dëshiroj ta konsideroj këtë një kontribut të të gjithëve, kontribut të të gjitha institucioneve të shtetit, për të dhënë një produkt, që është fytyra e shtetit, që është drejtësia”, - shtoi ai. Data 10 maj shënon 96-vjetorin e krijimit të drejtësisë shqiptare dhe duke përfituar nga kjo ditë, Topi mblodhi dje në Pallatin e Brigadave me dhjetëra drejtues institucionesh të rëndësishme. Kjo ditë përkujton datën kur akti i parë ligjor shqiptar u dekretua nga qeveria e Ismail Qemalit, më 1913.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›