Lista e deputetëve, më 19 maj në KQZ
Data 19 maj duket se është afati i fundit ligjor për partitë politike për të dorëzuar në KQZ kandidatët për deputetë. Kodi Zgjedhor parashikon se jo më shumë 40 ditë para ditës së zgjedhjeve, partitë duhet të dërgojnë kandidatët për deputetë. “Partia politike që është regjistruar në KQZ si subjekt zgjedhor për zgjedhjet për Kuvend, depoziton në KQZ listën shumemërore të kandidatëve të saj për çdo zonë zgjedhore së bashku me dokumentacionin e përcaktuar në këtë udhëzim, jo më vonë se 40 ditë para datës së zgjedhjeve. Partia politike, pjesëtare e një koalicioni, depoziton në KQZ listën shumemërore të kandidatëve të saj për çdo zonë zgjedhore jo më vonë se 40 ditë para datës së zgjedhjeve”, - thuhet në udhëzimin e KQZ-së, bazuar në Kodin Zgjedhor. Komiteti nismëtar i regjistruar në KQZ, depoziton jo më vonë se 40 ditë para datës së zgjedhjeve, kërkesën për regjistrim dhe dokumentacionin e kandidimit të kandidatit të propozuar nga zgjedhësit. Lista shumemërore e kandidatëve të partive politike që do të depozitohet në KQZ duhet të këtë renditje të përcaktuar dhe duhet nënshkruar nga Kryetari i Partisë sipas modelit të miratuar nga KQZ-ja. Në çdo rast, të paktën 30 për qind e kandidatëve të listave shumemërore ose një në tre emrat e parë të listës duhet t’i përkasë secilës gjini. Kandidati për deputet, i regjistruar në një listë shumemërore në një zonë zgjedhore nuk mund të regjistrohet si i tillë për një zonë zgjedhore tjetër, qoftë edhe për llogari të një partie apo koalicioni tjetër dhe as si i propozuar nga një grup zgjedhësish. Bëjnë përjashtim nga ky rregull kryetarët e partive politike që konkurrojnë veçmas apo si pjesëtarë të një koalicioni. Vetëm në datën 13 maj, pas procedurave të verifikimeve, KQZ-ja publikon listat e plota të kandidatëve për deputetë.