Zgjedhjet, koalicionet që përballen dhe partitë që rrezikohen
Brenda ditës së enjte zyrtarizohen koalicionet politike të cilat do të përplasen në zgjedhjet e 28 qershorit. Teksa e enjtja po afron, duket se 4 koalicione do të jenë të shënuara në fletën e votimit. Zgjedhjet e qershorit duket se do të ngjasojnë me realitetin politik gjerman, ku partitë e mëdha do të kenë edhe nga një konkurrent më të vogël në të njëjtin krah politik. Ndarja e koalicioneve duket se ka këtë pamje, ndërsa pritet të zyrtarizohen dy koalicione të djathta dhe dy të majta. Teksa 26 parti kanë fituar biletën për të hyrë në zgjedhje, 20 të tjera duket se do ta kenë të pamundur, për shkak të kërkesave të Kodit Zgjedhor.
Partia Demokratike do të udhëheqë koalicionin më të gjerë që nga zgjedhjet e para pluraliste në vend. Në këtë koalicion do të marrin pjesë 11 parti, ndërsa ai pritet të zgjerohet ende. Nga krahu tjetër, koalicioni i Partisë Socialiste nuk pritet të ketë më shumë se katër parti. Nga ana tjetër, koalicioni që udhëhiqet nga LSI-ja ka në përbërje 6 parti elektorale, ndërsa Poli i Lirisë do të ketë 3 parti. Në garën elektorale do të ketë edhe parti të cilat tashmë janë shprehur se do të jenë më vete. E tillë është Partia Ligj me Drejtësi e Spartak Ngjelës, por njëkohësisht edhe shumë parti të tjera, si disa parti komuniste etj., të cilat nuk janë të dëshiruara nga aktorët kryesorë politikë. Situata paraelektorale pritet të zgjidhë edhe një enigmë tjetër, atë të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Në datën 13 maj, kjo parti pritet të vendosë se me cilin koalicion elektoral do të garojë. Kodi i ri Zgjedhor parashikon që jo më vonë se 45 ditë nga data e zgjedhjeve, partitë duhet të zyrtarizojnë koalicionet, në rast se ka të tilla.
Të rrezikuarit
Ditën e enjte, kryetarët e partive politike pritet të nënshkruajnë zyrtarizimin në koalicione. Rreth 26 parti politike duket se e kanë të garantuar hyrjen në zgjedhje, ndërsa për shumë të tjera, një fakt i tillë do të jetë i vështirë. Kodi Zgjedhor parashikon se në rast se një parti nuk ka deputetë, ajo duhet të mbledhë 10 mijë firma të noterizuara, çka nënkupton një moshyrje në listën e votimit. Kjo mund të shmanget vetëm në rast se hyn në një koalicion, i cili ka minimumi një 1 deputet në Kuvendin aktual. Partia e drejtuar nga Spartak Ngjela, pavarësisht se do të dalë vetëm, do të garojë në zgjedhjet e ardhshme për shkak se është deputet. Por nga ana tjetër, rreth 20 parti nuk e kanë këtë luks, duke rrezikuar kështu që të konkurrojnë për zgjedhjet. Këto parti duket se e kanë të pamundur të sigurojnë 10 mijë firma votuesish. Një tjetër detaj është se deri tani në KQZ, nuk është regjistruar asnjë kandidat i pavarur.
Koalicionet
Duket se koalicioni i djathtë i udhëhequr nga Partia Demokratike është më i gjeri i mundshëm, që nga zgjedhjet e para pluraliste në vend. Partia Demokratike ka arritur që të tërheqë në koalicionin e saj parti të vjetra, joparlamentare, por që kanë një histori. Njëkohësisht, në këtë koalicion ka edhe parti të cilat prej vitesh kanë pasur hatërmbetje mes tyre, por PD-ja ka arritur që t’i mbledhë në një grupim. Partia Socialiste do të ketë vetëm tre aleatë dhe në rastin më të mirë të mundshëm, do të ketë katër aleatë, në rast se PBDNJ-ja do të firmosë me PS-në. LSI-ja, nga kjo pikëpamje, duket se e ka fituar një betejë me PS-së. Ajo do të ketë 5 parti aleate. Të gjitha do të dalin bashkë në këto zgjedhje. Koalicioni Poli i Lirisë ka në përbërjen e tij tri parti. Koalicionet paraqesin një rëndësi në zgjedhjet e ardhshme. Një parti që pretendon të fitojë mandate për në Kuvend, do ta ketë shumë herë më të lehtë, duke qenë në një koalicion, kjo, për shkak të mënyrës së si ndahen mandatet. Në fletën e votimit kanë për t’u shënuar të gjitha koalicionet dhe brenda tyre partitë politike. Duke votuar për partinë që dëshiron, çdo zgjedhës zgjedh indirekt dhe koalicionin.
Koalicioni i djathtë
Partia Demokratike PD
Partia Republikane Shqiptare PR
Partia Lidhja Demokristiane LDK
Partia Balli Kombëtar Demokrat PBKD
Partia Aleanca Demokratike Shqiptare AD
Partia Agrare Ambientaliste e Shqipërisë PAA
Partia e Ballit Kombëtar PBK
Partia Lëvizja e Legalitetit PLL
Partia Agrare Ambientaliste PAA
Partia për Drejtësi dhe Integrim PDI
Partia Bashkimit Liberal Demokrat BLD
Koalicioni i majtë
Partia Socialiste PS
Partia Socialdemokrate PSD
Partia Demokracia Sociale PDS
Partia G 99 G 99
Koalicioni Poli i Lirisë
Lëvizja për Zhvillim Kombëtar LZHK
Partia Demokristiane e Shqipërisë PDK
Partia Bashkimi Demokratik PBD
Koalicioni “Aleanca Socialiste për Integrim”
Partia Lëvizja Socialiste për Integrim LSI
Partia Socialiste e Vërtetë 91 PSV ‘91
Partia Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut LDLNJ
Partia Lidhja e Gjelbër PLGJ
Partia Mbrojtjen e Emigrantëve PMDE
Partia Toleranca e Re e Shqipërisë PTR
S’kanë vendosur
Partia Bashkimi i të Drejtave të Njeriut PBDNJ
Partitë më vete
Partia Ligj dhe Drejtësi PLiDr
Partitë që rrezikohen
Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Mohuara të Punëtorëve të Shqipërisë PMDSH
Partia Komuniste e Shqipërisë PKSH
Partia Aleanca Kombëtare PAK
Partia Konservatore P Kons
Partia Demokracia e Re Evropiane PDRESH
Partia Reformave Demokratike Shqiptare PRDSH
Partia Forca Albania PFA
Partia e Drejtave të Mohuara- e re PDM e RE
Partia Ora e Shqipërisë POSH
Partia Aleanca për Evropën PAE
Partia Demokratike e Bashkimit Mysliman të Shqipërisë PDBMSH
Partia Rruga e Vërtetë Shqiptare PRVSH
Partia Mendimit të Djathtë Liberal MDL
Partia Socialkristiane PSKSH
Partia e Punës e Shqipërisë e Riorganizuar PPSH
Partia Rruga e Lirisë PRRL
Partia Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet ADS
Partia Ambientaliste PA
Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrim Evropian AMIE
Partia Shqiptare Atdheu PSHA