Shkodër, Topalli: Mandati i dytë, i projekteve dhe i investimeve të mëdha
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, deklaroi në Shkodër se mandati i dytë i PD-së do të jetë i mbushur me investime dhe projekte të mëdha. Duke folur përpara banorëve të Shkodrës, Topalli tha se ky qytet sot ka ndryshuar. “Mandati i dytë, - tha Topalli, - do të jetë mandati i liberalizimit të vizave, mandati i dytë do të jetë mandati i zhvillimeve, i projekteve dhe i investimeve të mëdha. Investime të mëdha do të vijnë në Shkodër”. Ajo tha: “Gjatë këtij mandati ne kemi bërë të mundur të dyfishojmë buxhetin e arsimit, por unë u premtoj këtyre të rinjve që edhe më shumë do të rrisim nivelin e arsimit në këtë vend. Gjatë kësaj periudhe ne kemi rritur rrogat e prindërve tuaj dhe më shumë do të rrisim rrogat e mamave dhe të baballarëve tuaj. Gjatë kësaj periudhe ne kemi bërë të mundur që në çdo shkollë të ketë nga një laborator kompjuterik dhe në mandatin e dytë çdo nxënës do të ketë një kompjuter personal të tijin”. Topalli premtoi se vitin e ardhshëm qytetarët shqiptarë do të udhëtojnë pa viza në Evropë. Ajo sulmoi edhe kreun e PS-së, pasi sipas saj, e vetmja politikë e tij është ajo e ryshfetit.