PD: Sulmet ndaj vajzës së Kryeministrit, si ora e Bushit
Partia Demokratike reagoi dje zyrtarisht nëpërmjet zëdhënëses Erla Mëhilli pas akuzave të lëshuara nga opozita në adresë së vajzës së Kryeministrit dhe studios së saj ligjore. Mëhilli tha se Edi Rama sulmon familjarët e Kryeministrit, me trillime mediatike të ngjashme si spekulimi i vjedhjes së orës së Presidentit Bush në Shqipëri. “Sot Edi Rama, pasi sulmoi dje Kryeministrin e vendit me një gjuhë të padenjë jo vetëm për një politikan, por edhe për një halabak ordiner, nxori sot atë që tashmë është i faktuar si asistent i Dondollakut, por edhe korrier i drogës jo vetëm i tij, por edhe i Kadriovskit, Erion Braçen për të sulmuar familjarët e Kryeministrit dhe më konkretisht vajzën e tij, e cila është një avokate që punon në një studio private ligjore në Tiranë si dhjetëra e dhjetëra studio të tjera dhe që ushtron aktivitetin në përputhje të plotë me ligjet e shtetit shqiptar e që ka paguar të gjitha detyrimet tatimore të saj dhe që është e para në sektorin privat në historinë e vendit që ka deklaruar të ardhurat me korrektesën më të madhe pranë ILDKP-së”, - deklaroi Mëhilli. Në deklaratën për shtyp, zëdhënësja e selisë blu tha se gjithçka e publikuar në shtyp dëshmon për një veprimtari të rregullt ligjore. “Me e-mail-et e botuara sot, të cilat dëshmojnë një veprimtari në përputhje të plotë me ligjet e vendit të studios ligjore të vajzës së Kryeministrit, Edi Rama dëshmon se nuk ka asnjë alternativë tjetër për t’u ofruar shqiptarëve përveç scoop-eve dhe trillimeve mediatike siç ishte ajo e vjedhjes së shpikur të orës së Presidentit Bush, shpalljes së Kosta Trebickës si të ekzekutuar nga shteti, akuzave politike të rrugës Durrës – Kukës apo akuzave ndaj biznesmenit Damir Fazlliç apo siç ishin ato më të fundit të shitjes së ujërave territoriale të vendit”, - tha zëdhënësja e PD-së. Ajo deklaroi më tej se qëllimi i kryetarit të PS-së, Edi Rama, është që nëpërmjet sulmeve të mbrojë aktivitetin e tij korruptiv në Bashkinë e Tiranës. “Edi Rama me sulmet e sotme familjare ndaj Kryeministrit përpiqet thjesht të mbulojë mbi lakuriqësinë e tij, firmat e ekzekutimit politik të njerëzve e intelektualëve të pafajshëm nga i ati e daja e tij, anëtarë të Presidiumit e Byrosë Politike. Të mbulojë dhënien e 30 lejeve të ndërtimit Delijorgjit dhe pushimet e kaluar në Kretë me të. I bën për të vënë në harresë mbajtjen peng të planit rregullues të Tiranës dhe përpjekjet për të vjedhur trojet publike për vete dhe klanet me të cilat ai ndan pasuritë”, - deklaroi Erla Mëhilli.
Ndërkohë deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, reagoi dje pas akuzave të lëshuara nga nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduart Shalsi, në adresë të kryeparlamentares Jozefina Topalli. Bumçi tha se Shalsi përdori fjalë brutale ndaj kryetares së Kuvendit, por që sipas tij, kryetari i PS-së, Edi Rama, nuk mund të mbulojë brutalitetin e tij me anë të nënkryetarit të bashkisë. “Sot papagalli i Edi Ramës sulmoi kryetaren e Kuvendit, znj. Topalli, në emër të kryetarit të tij të njohur për rrahje dhe poshtërime të grave të familjes së tij, duke i kërkuar që të heshtë. Përdori ndaj saj fraza dhe fjalë tipike brutale dhe fyese, fjalë që kryetari i tij i përdor ndaj grave dhe vajzave të Shqipërisë. Por nuk mund të mbuloj me asgjë lidhjet e familjarëve të shefit të tij me internimet, vrasjet dhe ekzekutimet. Nuk mund të mbulojë nudizmin e shefit të tij në plazhe publike; brutalitetin e shefit të tij ndaj familjarëve më të afërt në prani të të tjerëve”, - deklaroi Bumçi. Ai tha më tej se “Shalsi i kryetarit të bashkisë ka marrë një mision të vështirë, mbasi me fyerjet dhe sharjet e tij dëshmon shkallën ekstreme të keqpërdorimit që i bën njeriu të cilit i shërben nga mëngjesi deri në darkë”.