E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Me kartat e identitetit do udhëtojmë pa viza

Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, deklaroi dje se procesi i heqjes së vizave me vendet e Bashkimit Evropian, tashmë është një kohë e papërfillshme me atë që është pritur. Basha ishte thirrur ditën e djeshme në Komisionin e Jashtëm në Kuvend nga ku raportoi përpara deputetëve në lidhje me këtë proces delikat në të cilin shpresohet shumë. Ministri është shprehur se pavarësisht se çështja është tepër komplekse, Shqipëria po bind gjithnjë e shumë Komisionin Evropian që të lejojë shqiptarët të udhëtojnë lirshëm në vendet e tyre. Sipas ministrit, afati konkret është tepër afër. Ai u shpreh se shqiptarët do të udhëtojnë pa viza në momentin kur në dorën e tyre të kenë pasaportat biometrike ose dixhitale, si dhe kartat e identitetit. Qeveria ka premtuar se kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike do të jenë gati në pranverën e vitit 2009, çka do të thotë se në tre muajt e parë të vitit 2009 shqiptarët do të paraqesin vetëm pasaportat në pikat kufitare në vendeve të BE-së. Njëkohësisht në këtë periudhë, në mars të vitit të ardhshëm, Shqipëria do të jetë anëtare me të drejta të plota në NATO, çka është një garanci tepër e lartë që kërkon Bashkimi Evropian. “Nisur nga kriteret e plotësuara nga Shqipëria, procesi i heqjes së vizave me vendet e BE-së do të jetë një proces afatshkurtër”, - tha ministri për deputetët. Në lidhje me procesin në fjalë si dhe për anëtarësimin në NATO, Basha u zgjerua më tej duke thënë se asnjë reformë nuk duhet të përjashtohet, përkundrazi, duhet një garanci politike që vendi po ndryshon gjithçka që kërkohet. “Procesi i liberalizimit të vizave me BE-në do të jetë një proces afatshkurtër, duke pasur parasysh fazën ku ndodhemi në plotësimin e kushteve kryesore të numëruara në Udhërrëfyesin e BE-së, që janë reformat, kartat e identitetit, pasaportat biometrike dhe siguria e kufijve. Ne ndajmë plotësisht optimizmin e shprehur nga zyrtarët evropianë se ky do të jetë një proces afatshkurtër, por tërësisht i bazuar në perfomancën e vendit përkatës", - u shpreh ministri Basha në përgjigje të interesimit të deputetëve. Ministri i jashtëm e vlerësoi Shqipërinë “në një fazë të avancuar”, për sa i përket aspiratës së saj për të qenë anëtare me të drejta të plota në NATO dhe heqjen e vizave me BE-në. “Heqja e vizave dhe anëtarësimi i plotë në NATO janë tregues që Shqipëria sot gjendet në një fazë shumë të avancuar në raport me këta objektiva madhorë. Ajo që kërkohet sot është që kjo praktikë duhet të vazhdojë pa asnjë mëdyshje, duke filluar nga lufta kundër korrupsionit, krimit, reformat ekonomike etj., të cilat nuk duhet të jenë më subjekt i ndryshimeve politike, por të rrënjosen si praktikat e sistemit të shtetit të së drejtës”, - tha Basha. Ministri në raportimin e tij vlerësoi dhe kontributin e opozitës në procesin e integrimit të vendit në NATO dhe BE. “Është një proces politik tepër i gjatë, ku edhe opozita ka rolin e saj”, - tha Basha për deputetët në lidhje me ecurinë e integrimit të Shqipërisë si dhe të përfitimit nga ky integrim me hapa të shpejtë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›