E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëzohen kriteret e PD-së

Presidenti Bamir Topi e ka rrugën e hapur për të vendosur mbi emrat e rinj anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Grupi i punës i ngritur prej tij ka përfunduar dje misionin e tij duke përzgjedhur kriteret më të rëndësishme, mbi të cilat duhet të bazohet kreu i shtetit për të përzgjedhur emrat e rinj. Por, në kriteret që grupi i punës ka cilësuar si të domosdoshme për këtë proces, nuk janë kriteret kryesore që kishte kërkuar Partia Demokratike, ndër të cilat ajo e moskandidimit të gjyqtarëve që ishin përfshirë në gjykime politike në kohën e komunizmit. Kjo ishte dhe një nga arsyet kryesore se pse PD-ja rrëzoi emrat e parë që solli Topi në Kuvend, ku njëri nga kandidatët ishte i përfshirë në gjykime politike në kohën e komunizmit. Grupi i këshilltarëve juridikë, i ngritur nga kreu i shtetit pas disa mbledhjesh radhazi, ka parë të arsyeshme disa standarde të cilat duhet t’i plotësojnë juristët që do të përzgjidhen për të marrë detyrën në Gjykatën e Lartë.

Kriteret

Siç bën të ditur Presidenca, në mbledhjen e djeshme grupi i ekspertëve ligjorë, që po ofron asistencën juridike mbi standardet në përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, ka shqyrtuar propozimet e ardhura nga grupet parlamentare si dhe propozimet e ekspertëve për kriteret dhe standardet e vlerësimit të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Në përfundim të këtij procesi, grupi i ekspertëve i sugjeroi Presidentit që në vlerësimin e kandidaturave për anëtarë të Gjykatës së Lartë, të marrë në konsideratë disa kritere, ku i pari renditet arsimi i lartë juridik dhe kualifikimet shkencore. Gjithashtu, vlerësohet shumë vjetërsia në punë, ku parapëlqehen ata juristë më afër gjyqësorit. Një nga kriteret më të forta ka të bëjë me faktin që të mos ketë pasur precedentë penalë, të ketë përmbushur detyrimet ligjore, si dhe të ketë qenë transparent dhe të ketë justifikuar pasurinë e tij. Vlerësohet ana intelektuale dhe cilësia e punës së mëparshme, botimet e ndryshme. Gjithashtu, sipas grupit të punës, s’duhet të ketë konflikt interesi apo lidhje nepotike mes përbërjes së gjykatave dhe kandidatëve që do të përzgjidhen për anëtarët e Gjykatës së Lartë.

Ndërkohë, duke pasur parasysh kriterin e ri për deklarimin e pasurisë, janë ftuar të gjithë kandidatët, të cilët nuk kanë mbartur detyrimin për deklarim të pasurisë sipas ligjit, të depozitojnë pranë Zyrës Juridike të Presidentit brenda fundit të ditës së enjte, 3 korrik 2008, deklarimin e pasurisë së tyre, burimin e saj si dhe të detyrimeve financiare. Ndërkohë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të informojë Presidentin për deklarimet e pasurisë së gjyqtarëve të cilët kanë paraqitur kërkesë për në Gjykatën e Lartë. Presidenca bën të ditur se këto kritere u përzgjodhën nën praninë e përfaqësuesve të misionit EURALIUS, të ambasadës së SHBA-së dhe të Prezencës së OSBE-së në Tiranë.

Kriteret e Presidencës për Gjykatën e Lartë

• Arsimi i lartë juridik, mënyra e kryerjes së tij, kualifikime shkencore.

• Vjetërsia në punë, duke pasur parasysh që ushtrimi i profesionit të ketë qenë sa më afër gjyqësorit.

• Për periudhën ligjore të vjetërsisë, të shikohen masat disiplinore, fuqia e tyre ligjore, lloji dhe numri i masave të dhëna.

• Integriteti i lartë moral, reputacion i mirë në komunitetin e juristëve dhe mbështetje shoqërore e institucionale.

• Gjatë gjithë periudhës së ushtrimit të profesionit, të mos ketë pasur precedentë penalë, të ketë përmbushur detyrimet ligjore, të ketë qenë transparent dhe të ketë justifikuar pasurinë e tij.

• Tregues të lartë cilësorë dhe intelektualë të punës së kandidatit (vendime gjyqësore, pretenca, parashtresa).

• Tregues intelektualë të kandidatit jashtë ushtrimit të profesionit (botime, artikuj shkencorë, kryesisht në fushën juridike.)

• Të mos ketë konflikt interesi apo lidhje nepotike mes përbërjes së gjykatave dhe kandidatëve që do të përzgjidhen për anëtarët e Gjykatës së Lartë.

• Të inkurajohet karriera gjyqësore.

Kriteret e PD-së

Të mos kenë marrë pjesë gjatë karrierës së tyre në procese politike.

Të mos kenë favorizuar apo ndihmuar gjatë hetimit dhe gjykimit individë ose anëtarë të organizatave kriminale.

Të mos jenë përfshirë në dhënien e vendimeve gjyqësore në konflikt interesi.

Të kenë bërë transparente dhe ta kenë të justifikuar pasurinë e tyre.

Kriteret e PS-së

T’i garantojnë gjyqësorit juristë me integritet moral.

Të dëshmojnë nivel të lartë profesional, duke gjykuar mbi bazën e karrierës vlerave dhe rezultateve pozitive të shfaqura prej tyre në ushtrimin e detyrës.

Nuk u janë provuar shkelje gjatë ushtrimit të detyrës.

Kanë dëshmuar transparencë në deklarimin e pasurisë.

I provojnë vlerat profesionale edhe përmes rekomandimeve nga të paktën tre personalitete të shquara të fushës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›