E Shtunë, 31 Tetor 2026

MPJ, konsultime dypalëshe me Izraelin

Në kuadrin e Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shtetit të Izraelit, në selinë e Ministrisë së Punëve të Jashtme, u zhvilluan konsultimet politike të radhës mes delegacionit shqiptar të kryesuar nga zoti Anton Gurakuqi, zëvendësministër i Punëve të Jashtme, dhe delegacionit izraelit të kryesuar nga zoti Pinhas Avivi, ambasador, zëvendësdrejtor i Përgjithshëm, Përgjegjës i Divizionit të Evropës Qendrore dhe Euro-Azisë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shtetit të Izraelit. Të dy palët, pasi evidentuan arritjet e deritanishme, vlerësuan nivelin e lartë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe shprehën dëshirën e vullnetin për të nxitur, zgjeruar dhe intensifikuar bashkëpunimin e mëtejshëm në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë. Palët vlerësuan pozitivisht nivelin e arritur në marrëdhëniet dypalëshe gjatë vitit të fundit, duke nënvizuar në veçanti rëndësinë e nënshkrimit të marrëveshjes për heqjen e vizave për të gjitha llojet e pasaportave, marrëveshje që hyn në fuqi në 27 korrik 2008, si dhe shprehën vullnetin e tyre për intensifikimin e mëtejshëm dhe konkretizimin e bashkëpunimit në fusha të tilla si turizmi, bujqësia, arsimi, kultura, transporti ajror etj. Palët shprehën gjithashtu kënaqësinë për bashkëpunimin e frytshëm në organizata dhe forume ndërkombëtare dhe konfirmuan gatishmërinë e tyre që ky bashkëpunim të vijojë edhe në të ardhmen.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›