E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bumçi dhe Isaraj, promotorët e ligjit për dosjet e ish-sigurimsave

Komisioni i Ligjeve miratoi ditën e djeshme deputetët relatorë për tre projektligjet në lidhje me ish-bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit. Deputeti Aldo Bumçi dhe Arben Isaraj, përkatësisht nga mazhoranca dhe opozita, do të paraqesin ditën e hënë një relacion të gjatë ku do të përmbledhin propozimet e PD-së, PS-së dhe PDK-së për sa i përket mënyrës së procedimit dhe hapjes së dosjeve për zyrtarët e lartë të shtetit. Gjithsesi, diskutimet në Komisionin e Ligjeve do të nxjerrin përkatësisht edhe detajet konkrete të partive politike në lidhje më ketë çështje delikate. Sipas projektligjit të PD-së, subjekt i verifikimit janë të gjithë zyrtarët dhe funksionarët publikë, të zgjedhur apo të caktuar, të cilët më datë 11 dhjetor 1990 kanë qenë 18 vjeç e lart dhe pas hyrjes në fuqi të këtij ligji ushtrojnë, apo do të kryejnë një nga detyrat ose funksionet, apo janë në marrëdhënie pune në institucionet. Projektligji i PDK-së parashikon që ish-spiunët do të kenë mundësinë të kandidojnë për deputetë dhe në njësitë e qeverisjes vendore. Ish-spiunët dhe bashkëpunëtorët ndalohen të zgjidhen në postet drejtuese të shtetit shqiptar. Kontrollit do t’i nënshtrohen Presidenti, deputetët e Kuvendit, Kryeministri, nëpunës të nivelit të lartë dhe të mesëm. Kontrollit do t’i nënshtrohen dhe gjyqtarët dhe prokurorët e të gjitha niveleve, zyrtarët që zgjidhen e emërohen nga Presidenti, Kryeministri, ministri dhe Kuvendi. Drafti i socialistëve është paraqitur në protokollin e Kuvendit, si dhe është parashikuar disa herë për nisjen e diskutimeve, por duke mbetur gjithnjë në sirtarët rezervë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›