Berisha pret ambasadorin e ri grek
Kryeministri Berisha priti dje në një takim ambasadorin e ri të Republikës së Greqisë në Tiranë, z. Nicolas Pazios, me rastin e emërimit të tij në këtë detyrë. Gjatë këtij takimi, Kryeministri Berisha vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera politike dhe miqësinë tradicionale mes dy vendeve, si dhe shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për të punuar ngushtësisht me qeverinë e Greqisë dhe Ambasadën e Greqisë në Tiranë, për të forcuar më tej bashkëpunimin e ngushtë e të gjithanshëm që ekziston ndërmjet dy vendeve. Në këtë kuadër, Kryeministri Berisha u shpreh se ekziston një interes i madh i investitorëve grekë, për të investuar në Shqipëri, shumë firma greke serioze dhe të rëndësishme janë bërë pjesë e rëndësishme e tregut të investimeve në vend dhe se qeveria shqiptare me reformat e saj të thella ka krijuar kushtet më të favorshme për biznesin dhe investitorët e huaj, të cilët janë plotësisht të mirëpritur dhe do të përkrahen maksimalisht nga qeveria që të zhvillojnë bizneset e tyre në Shqipëri. Ambasadori Pazios e falënderoi Kryeministrin Berisha për mikpritjen dhe vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera politike mes dy vendeve, si dhe bashkëpunimin e ngushtë e të gjithanshëm midis dy vendeve. Ai shprehu vullnetin e vendit mik, Greqisë për të forcuar edhe më tej marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e ngushtë dhe tradicional që ekziston midis dy vendeve dhe dy kombeve tona.