Berisha: Ligj për ndalimin e ndërhyrjes së botuesve në linjën editoriale
Kryeministri Sali Berisha ka marrë pjesë ditën e djeshme në një takim me studentët e gazetarisë, të cilët kanë organizuar një aktivitet me rastin e ditës së komunikimit. Takimi i Kryeministrit Berisha me gazetarët e ardhshëm ka shërbyer si mundësi për t’u njohur me idetë dhe problemet që studentët e gazetarisë kishin shkruar për këtë ditë. Ai ka bërë të qartë dy objektiva të qeverisë së tij në këtë fushë: e para, vendimi që asnjë zyrtar të mos padisë gazetarët dhe e dyta, ndërhyrja e pronarëve në linjën editoriale të mediave. “Kam shumë kënaqësi që si qeveri, ne sollëm një risi që nuk ekziston në asnjë vend; sollëm ndërprerjen e të gjitha proceseve civile e gjyqësore ndaj jush. Shqipëria është i vetmi vend në Evropë dhe më gjerë, ku nuk ekziston asnjë padi civile e penale ndaj asnjë gazetari, çfarëdo që ai ka shkruar, për çdo zyrtar, nga Kryeministri deri te punonjësi më i thjeshtë”, - tha ai. Sipas Kryeministrit, “kjo solli një erë të re, erën e fundit të farsave të turpshme gjyqësore, ku objekt ishin gazetarët”. Ndërkaq duke folur për çështjen e raportit pronar-gazetar ai tha se “problemi i dytë me të cilin merret qeveria janë pronarët”. Por para se të fliste për problemet në media, ai vlerësoi lart botuesit e mediave duke thënë se “kam vlerësimin më të madh për të gjithë ata të cilët pasurinë e tyre duan ta vënë në shërbim të hapësirës së komunikimit dhe informacionit. Ky përbën një kontribut madhor”. Por, sipas kreut të qeverisë, “nuk ka gjë më të pa pranueshme sesa trajtimi miqësor nga pronarët të caktuar për gazetarë të caktuar”. Në këtë kontekst ai theksoi se “kam diskutuar disa herë me përfaqësues të kësaj fushe dhe pres nga miqtë e mi të sjellin në parlament ligjin që ndalon pronarin që të diktojë politikën editoriale”. Kryeministri bëri një konstatim të dhimbshëm: “Shembulli i Shqipërisë është shembulli më tipik i “vdekjes” së mediave nga përdorimi i tyre personal, i shndërrimit të gazetave në fletushka personale, në një kohë kur ato janë pasuri e madhe publike”, - tha ai.