E Diel, 1 Nëntor 2026

Vuds, 100 mln euro në vit, Bekam i pari në futboll

 

Tajgër Vuds vazhdon të kryesojë listën e sportistëve që përfitojnë më shumë. Sipas "Sports Illustrated" golfisti amerikan fiton më shumë se 100 milionë euro në vit duke lënë pas në diferencë të madhe ndjekësit e tij. I dyti është sërish një sportist i golfit, Mikelson i cili arkëton gati sa gjysma e Vuds, 53 milionë euro. I treti është anglezi Devid Bekam i cili ka rritur mjaft fitimet e tija në krahasim me vitin e kaluar ndonëse mbetet ende në kuotat e 45 milionë euro. Në këtë renditje merren parasysh jo vetëm rrogat e majme që marrin këta sportistë por më së shumti kontratat që ata kanë firmosur me disa nga kompanitë më të mëdha të reklamave. Pas tyre vijnë me radhë basketbollisti amerikan, LeBron Xhejms (42 milionë) feraristi Kimi Raikkonen (40 milionë), boksieri filipinas Mani Pakuiao (40 milionë), Lionel Mesi (39 milionë) dhe mbyllin top-10 Fernando Alonso, Shakuille O'Neal dhe Valentino Rosi. Ndërkohë, ndonëse merr aktualisht rrogën më të lartë në botën e futbollit Kristiano Ronaldo renditet veçse i 19-ti duke lënë pas vetëm Kaka dhe Ibrahimoviç. Ndërsa para portugezeit veç Bekam dhe Mesit është edhe braziliani i Milanit Ronaldinjo, i cili përfiton rreth 27,4 milionë euro në sezon.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›