E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha Mirenjohje te perjetshme mesuesve tane

Kryebashkiaku, Lulzim Basha zgjodhi sot që të urojë më së pari mësuesit e tij. Kështu, me rastin e 7 Marsit Kryetari i Bashkisë së Tiranës vizitën e parë e ka zhvilluar tek mësuesja e tij e klasës së parë Sonja Jegeni. Zoti Basha ka shprehur mirënjohjen dhe respektin për punën e saj në edukimin e tij dhe të brezave me radhë, punë e cila ka ndikuar siç tha ai, që të arrinte ku është sot. Mësuese Sonja u shpreh e surprizuar nga kjo vizitë dhe vlerësimi i zotit Basha, sikundër theksoi se ndihej krenare që zoti Basha kishte qenë nxënës i saj.
Pas kësaj vizite, kryebashkiaku Basha ishte në shtëpinë e mësueses së tij kujdestare, Merita Xoxa.  Zonja Xoxa tha se ndihej shumë krenare, kur shikon se si një nga nxënësit e saj më të mirë po arrin një sërë suksesesh, madje siç tha ajo: “po i shërben denjësisht vendit dhe bashkëqytetarëve të tij”. Zoti Basha theksoi se çdo arritje në jetë, ia dedikon punës së palodhur të mësuesve të tij. “Ne, asnjëherë nuk mund të shlyejmë detyrimin ndaj jush, - tha zoti Basha, po ajo që mund të bëjmë, është të vëmë në jetë mësimet tuaja”.
Gjithashtu, në këtë ditë të veçantë për këtë figurë të nderuar të shoqërisë shqiptare, Kryetari i Bashkisë u ndal në “Shkollën e Kuqe”, ku ka uruar mësuesit për festën e  7 Marsit.
 “Është gjithmonë e pamundur të shprehet në mënyrë të plotë dhe të vërtetë mirënjohja për mësuesin. Ne kemi një borxh të madh dhe të përhershëm ndaj mësuesve dhe ky borxh nuk mund të shlyhet në një ditë, por ky borxh shlyhet dhe jam i sigurtë që shlyhet, duke i mbushur me krenari se e gjithë kjo kohë, i gjithë ky mund, e gjithë kjo sakrificë jo vetëm nuk ka shkuar kot, por shkon në ndërtimin e një shoqërie më të mirë, e një shoqërie më të përparuar, ndaj edhe njëherë dua të falenderoj nga zemra, ata që pas prindërve kanë kontributin, rolin dhe detyrën kryesore, mësuesit tanë”, vuri në dukje Basha.
Në ditën e mësuesit, në “Shkollën e Kuqe”  u zhvilluan disa konkurse, si në pikturë dhe ese, sikundër edhe aktivitete kulturore dhe artistike mes nxënësve të shkollave 9 - vjeçare të kryeqytetit. Fituesve në pikturë dhe ese, zoti Basha u dhuroi nga një kupë kristali, me mbishkrimin “Piktori më i mirë” dhe “Pena më e mirë”, nga Bashkia e Tiranës. Ndërkohë që nxënësit kishin përgatitur disa koncerte, për të nderuar mësuesit e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›