Basha: Modeli Rama, model klientelist që përfiton nga djersa e shqiptarëve
Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, njëkohësisht kryetar i grupit të punës së PD-së në qarkun e Elbasanit, ka vijuar turin e tij, "Shqipëria po ndryshon", në komunat Përparim dhe Karinë të rrethit të Peqinit. Gjatë fjalës së tij me banorët e këtyre komunave, ministri Basha ka kritikuar modelin Rama duke e cilësuar atë një model të një klientele të ngushtë njerëzish, të cilët sipas tij me abuzim dhe korruptim të plotë vjelin djersën e shqiptarëve nëpërmjet hinkës së pushtetit dhe i kanalizojnë ato në xhepat e Ramës dhe shokëve të tij të ngushtë.
Ky është një model kundër, rritjes së rrogave, kundër NATO, kundër BE-së, theksoi Basha. Ndër të tjera ai ka deklaruar se modeli i Komunës Përparim, por edhe i përparimit si koncept është një model i konsoliduar tashmë në Shqipëri. Duke u ndalur tek ndryshimet e mazhorancës qeverisëse, ministri Basha deklaroi se vetëm tre vjet e nëntë muaj pas ndryshimit të madh që Shqipëria votoi, dhe që përfaqësohet nga mazhoranca e suksesshme. Vendi nuk përmendet më si vendi i krimit, por si vendi që lufton krimin, trafiqet, drogën, në mënyrë të tillë që edhe agjencitë më prestigjioze të luftës kundër krimit thonë që Shqipëria, është një vend jashtëzakonisht armiqësor për krimin e organizuar, nënvizoi ai. Ministri Basha i ka bërë thirrje banorëve të Komunës Përparim që të votojnë me ndërgjegje dhe pastërti siç kanë bërë në 3 korrik të vitit 2005.