MB hedh poshtë pretendimet e opozitës për votuesit pa pasaportë
Ministria e Brendshme informon opinionin publik se po finalizohet shtrirja e procesit të aplikimit për letërnjoftime elektronike edhe në komunat e fundit, më të voglat në vend. Konkretisht, në dhjetëditëshin e parë të muajit Maj filloi procesi i aplikimit në 14 komuna të tilla. Nëpërmjet një njoftimi për mediat, kjo ministri ka paraqitur të dhënat zyrtare mbi fillimin e procesit të aplikimit në këto komuna, duke u ndaluar në numrin e votuesve pa pasaportë në rrethet Shkodër, Kukës, Dibër, Elbasan, Berat, Vlorë, Sarandë, etj.
Ministria e Brendshme bën të ditur se në total numri i votuesve pa pasaportë, në komunat ku ka filluar procesi është 11008. Rrethi Shkodër, komuna Pult 756 votues pa pasaportë, Pukë, 638, Iballë 706, Kukës, Surroj 867, Kukës, Zapod 1108, Kukës, Bytyç 612, Kukës Margegaj, 826, Dibër, Luzni 1058, Dibër, Kala e Dodës 990, Dibër, Martanesh 831, Librazhd, Funare 729, Librazhd, Stravaj 824, Skrapar, Gjerbës 619, Sarandë, Markat 444. Nëpërmjet kësaj deklarate për shtyp, ministria e Brendshme hedh poshtë pretendimin e opozitës, se në këto komuna nuk ka filluar ende procesi. Informojmë gjithashtu opinionin publik se javën e ardhshme procesi i aplikimit do të fillojë edhe në 14 komunat e fundit, për tu finalizuar plotësisht, bëhet e ditur në deklaratë. Ndër të tjera, në lidhje me numrin e personave pa pasaportë, kjo ministri informon se numri i këtyre personave në komunat ku nuk ka filluar ende procesi është vetëm 6232 dhe jo 17 234 siç pretendon Partia Socialiste. Sipas saj, numri i zgjedhësve pa pasaportë për këto komuna lejon kryerjen e procesit të aplikimit për letërnjoftime elektronike në më pak se dhjetë ditë.