E Diel, 1 Nëntor 2026

Bumçi: Nuk kam pasur asnjëherë kontakte me djalin e kryeministrit Berisha

Ish-ministri i Drejtësisë Aldo Bumçi ka hedhur poshtë dëshminë e ish sekretares së tij, pjesë e dosjes voluminoze që Prokuroria ka dërguar në Gjykate për çështjen "Gërdeci". Madje, Bumçi do të padisë penalisht për dëshmi të rreme ish- sekretaren, ndërsa deklaron se shkrimi në cepin e faqes së faksit për Shkëlzen Berishën nuk është i tij. Ai është shprehur gjithashtu se nuk ka pasur asnjëherë kontakte me djalin e kryeministrit Berisha për çështje private. Bumçi i referohet relacionit ligjor për draftin, që rregullon shit-blerjen e armëve dhe municioneve në vend, e cila është pjesë e një letërkëmbimi institucional mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Drejtësisë, në kohën kur atë e drejtonte deputeti demokrat, për të cilin ai thotë se nuk i është adresuar asnjëherë djalit të kryeministrit Berisha. Gjatë kohës, që kam shërbyer si ministër i Drejtësisë kam mbajtur vetëm marrëdhënie institucionale dhe në asnjë rast nuk kam komunikuar me asnjë person privat duke përfshirë këtu dhe zotin Shkëlzen Berisha, as vet personalisht dhe asnjë prej vartësve të mi. Në nismën e dyte të ndërmarrë nga Ministria e Mbrojtjes ishin marr parasysh vërejtjet e bëra dhe ishin në përputhje me ligjin, sqaroi Aldo Bumçi, ish-ministër i Drejtësisë. Sipas tij, edhe data a faksit të dërguar nga Ministria që drejtonte nuk përputhet me datën e faksit të publikuar në media. Ish-Ministri i Drejtësisë, Bumçi përmes një konference për shtyp bëri të ditur se do të paraqesë në Prokurori një padi penale për dëshmi të rreme ndaj personit të tij. E gjithë kjo histori e shëmtuar tregon mjerimin e opozitës. Shënimi mbi faks nuk është i imi dhe kjo mund të kontrollohet fare lehtë. Kjo është një dëshmi e rreme dhe unë do të bëj kallëzim penal. Nesër (sot) do të dorëzoj padi penale në Prokurori për dëshmi të rreme. Unë i kam shërbyer vetëm ligjit dhe jo interesave private, u shpreh Bumçi. Publikimi në shtypin e përditshëm të disa dokumenteve mbi dosjen Gërdeci ka rindezur debatin politik, mbi një shkresë të ministrit të Drejtësisë të kohës, Aldo Bumçi, për Ministrinë e Mbrojtjes, ku sipër shënohet me shkrim dore se ishte porosi për Shkëlzen Berishën, djalin e kryeministrit. Ish-sekretarja e Bumçit thoshte me bindje në dëshminë e saj, se shefi i saj i ka dhënë porosi për dërgimin e faksit nga Ministria e Drejtësisë në Ministrinë e Mbrojtjes. Pasi konfirmonte në detaje, hapat për dërgimin e faksit tek dikasteri i Mbrojtjes, ish- sekretarja dëshmonte me siguri se edhe shkrimi në cepin e faqes është i Aldo Bumçit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›