E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbështetësit e Berishës përçajnë PD e Kavajës në dy klane

Partia Demokratike e Kavajës, e cila ka qenë një nga degët më të forta të PD-së, në shkallë vendi dhe që ka mbetur deri më sot bastion i së djathtës, është përçarë dhe rrezikon ndarjen. Shkak për një përçarje të tillë u bënë zgjedhjet për kryetarin e ri të degës, zgjedhje të cilat si askund tjetër, u shoqëruan me debate gjatë fushatës parazgjedhore dhe tensione në ditët e fundit deri në shpalljen e fituesit. Hysen Arkaxhiu, mjek në profesion, është kryetari i ri i degës së Partisë Demokratike të Kavajës, i cili fitoi në raundin e dytë të zgjedhjeve përballë mjekut tjetër demokrat, Islam Veliu me 148 vota në favor dhe 137 kundër. Fitorja e Arkaxhiut u vulos mbrëmjen e së premtes së kaluar, ndërkohë që në raundin e parë që u zhvillua të mërkurën e javës së kaluar, Arkaxhiu mori vetëm 84 vota, nga 297 delegatë që votuan në total. Në fakt fitorja e Hysen Arkaxhiut erdhi pas një përplasje të ashpër që kishte nisur që në fillim të fushës zgjedhore disa muaj më parë, e cila kishte në qendër Islam Veliun, i mbështetur bindshëm nga anëtarësia e PD-së në fshat dhe kandidatura e Xhevat Hylviut, e mbështetur po në këtë mënyrë nga kryetari i bashkisë së Kavajës Refik Rrugeja dhe klani i tij. Në fakt përfundimi i kësaj gare nuk pati fitues asnjë nga kandidatët e mësipërm, pasi ndodhi njëlloj si me thënien kur zihen dy vetë, fiton një i tretë. Në këtë mënyrë fitues doli Hysen Arkaxhiu, aktualisht nënkryetar i Këshillit të Qarkut Tiranë dhe anëtar i këshillit bashkiak të Kavajës. Bashkimi i votave të mbështetësve të Xhevat Hylviut dhe një pjesë të votave që në raundin e parë u dhanë për dy kandidatët që dolën në vendin e katër dhe të pestë, bashkë me punën bindëse të kryetarit në ikje Engjëll Cara bënë që Hysen Arkaxhiu të zgjidhet për herë të dytë kryetar i degës së PD-së së Kavajës pas 12 vitesh. Kandidati Islam Veliu dhe mbështetësit e tij denoncuan një ditë para balotazhit presionet e shumta që po bëheshin ndaj delegatëve të tyre, presione që vinin kryesisht nga kryetari që ishte në fund të mandatit Engjëll Cara si dhe drejtues ndërmarrjesh dhe institucionesh të tjera në Kavajë. Futja në lojë e Engjëll Carës dhe pozicionimi haptas i tij përkrah kandidatit Hysen Arkaxhiu revoltoi një pjesë të madhe të mbështetësve të Islam Veliut, ndërkohë që nga ana tjetër disa delegatë u bindën të ndryshonin mendim duke votuar ndryshe herën e dytë, ndërsa disa të tjerë që kishin votuar për Veliun në raundin e parë, nuk erdhën fare në balotazh. Shumë prej mësuesve u kërcënuan për largim nga puna, të tjerë me telefonata anonime e kështu me radhë. Për këtë qëllim i është dërguar edhe një letër kryeministrit Berisha, ku edhe pse flitet se ai mund ta ketë marrë letrën, ende nuk po u përgjigjet mbështetësve të tij në Kavajë, ndoshta nuk di akoma kujt klani ti besojë sepse tashmë PD po vërteton edhe një herë tjetër ashtu siç ka ndodhur gjithmonë, se nuk është një parti e organizuar dhe e aftë të drejtojë vendin, por një grumbullim klanesh, që i bashkojnë interesat e momentin dhe që i binden si ushtarë vetëm Berishës. Paralelisht me votimin për kryetarin e ri të degës, anëtarësia e PD ka votuar edhe për kryesinë e re, e cila përbëhet nga 26 vetë gjithsej, nga të cilët 11 anëtarë i përkasin qytetit, 8 anëtarë komunave dhe 6 janë gra. Pas shpalljes së rezultateve për votimin e kryesisë së re bie në sy mbështetja e madhe për Islam Veliun i cili ka marrë 167 vota dhe më pas janë renditur Përparim Çaça, kryetar i komunës Synej me 160 vota, Namir Gjoci kryetar i komunës Helmës me 145 vota, Hysen Arkaxhiu me 143 vota etj. Anëtarët e zgjedhur nga qyteti për kryesinë e PD-së janë: Islam Veliu, Hysen Arkaxhiu, Defrim Goma, Ardian Malaj, Tahir Okshtuni, Bledar Sakja, Justin Mitrushi, Fehim Kazazi, Bardhyl Rexha, Esat Hylviu dhe Sokol Bakalli. Anëtarët e rinj të kryesisë që janë pjesë e fshatit janë: Përparim Çaça, Namir Gjoci, Hasan Shkreli, Idriz Thaçi, Avni Çeka, Arben Ajdini, Sadik Dule dhe Hasan Sopi. Gjashtë anëtaret gra të kryesisë janë zgjedhur: Pranvera Bajaziti, Fatmira Gërmani, Merita Elezi, Ermira Kuli, Drita Kazazi dhe Rubije Rexhepi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›