Berisha me infermierët: Standarde në sistemin shëndetësor
Kryeministri Berisha ka kërkuar standarde në sistemin shëndetësor. Këtë deklaratë, kreu i qeverisë e bëri përpara infermierëve, të mbledhur nga të gjitha rrethet e vendit, në konferencën kombëtare të infermierit. Berisha tha se kontrollit për të vendosur standarde, do ti nënshtrohet si sektori publik dhe ai privat shëndetësor. Ndërkohë që mandatin tjetër kryeministri ka premtuar se shëndetësia do të jetë prioritet.
Këto standarde duhet të jenë unike, si për sektorin publik dhe për sektorin privat. Në asnjë rrethanë nuk duhet të pranojmë të shohim njërin si të nënës, tjetrin si të njerkës. Jo, në rast se shqiptarët do ti japin kësaj maxhorance mandatin e dytë, do të jetë përparësi e të gjitha përparësive, veçoi Berisha. Gjithashtu gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë ka përmendur hedhjen e bazave për një reformë më të thellë në sistemin shëndetësor, reformë jetike për qytetarin shqiptar dhe për fëmijët e tij. Në këtë drejtim ka garantuar se nëse mazhoranca fiton një mandat të dytë, reforma në sistemin e shëndetësisë do të jetë përparësi e të gjitha përparësive, pasi bazat për ketë reformë janë hedhur. Duke vlerësuar rolin e infermierit, kreu i qeverisë ka përshëndetur punën e tyre si dhe ka përmendur rritjen e pagave të këtij sektori. Ju jeni punëtorët e dhembjes, të vuajtjes, të sakrificës njerëzore. Ju me punën dhe njerëzinë tuaj, jeni shembuj frymëzues për kolegët tuaj më të rinj dhe për mjekët më të rinj. Në bindjen time më të thellë nuk ka shërbim shëndetësor që mund të arrijë cilësinë e duhur dhe nuk ka reformë të sistemit shëndetësor pa ju, pa rolin tuaj dhe pa vendosjen tuaj në lartësitë e misionit të madh që ju keni. Në këtë kontekst mendoj se gjatë këtyre viteve është arritur të krijohet një koncept i ri për rolin tuaj, përfundoi Berisha.