PR hap fushatën elektorale në Durrës, Mediu në krye të listës
Partia Republikane ka çelur fushatën elektorale në qytetin e Durrësit. Kryetari i kësaj partie, Fatmir Mediu ka kërkuar votën e qytetarëve durrsakë për maxhorancën aktuale, duke u mbështetur në arritjet e qeverisë shqiptare gjatë katër viteve të fundit. Ndër të tjera ai u shpreh se qeveria e kryesuar nga kryetari i partisë Demokratike, Sali Berisha, pjesë aktive e së cilës është edhe partia Republikane ka shënuar arritje të mëdha në forcimin e shtetit ligjor dhe të institucioneve demokratike të vendit si dhe në zhvillimin ekonomik të tij.
Mediu nënvizoi se anëtarësimi në Aleancën e Atlantikut verior nuk ishte një dhuratë, sikundër përpiqet ta paraqesë opozita e majtë. Sipas tij, Durrësi do të jetë një qendër e madhe e zhvillimit ekonomik, kulturor dhe turistik të vendit tonë, ndërsa rruga që nis nga ky qytet drejt Prishtinës dhe që bashkon të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen do të jetë një arterie e rëndësishme për të ardhmen e vendit dhe rajonit. Në takim kryetari i degës lokale të Partisë Republikane Dilaver Tepelena tha se në krye të listës së kësaj force politike për zgjedhjet e 28 qershorit në qarkun e Durrësit do të jetë Fatmir Mediu, kryetar i PRSH.