Çamët në tubim me sloganin Shqiptar zgjohu!
Ky ishte një ndër sloganet e tubimit të madh më datën 7 maj, në sheshin Fitorja të qytetit të Fierit. Solidariteti i qytetarëve fierak edhe një herë brenda një afati kohor të shkurtër, po tregon se ndjenja kombëtare po zgjohet. Falë punës së palodhshme të drejtuesve të Shoqatës Atdhetare për Bashkim Kombëtar të degës së Fierit të drejtuar nga patrioti Kristaq Ziu, tubimi ia arriti qëllimit. Të udhëhequr nga Shoqata Atdhetare për Bashkim Kombëtar, në këtë organizim morën pjesë me forca aktive edhe shoqata të tjera atdhetare-kulturore, por ajo Çamëria nën drejtimin dinjitoz të Besnik Osmanit i dha më shumë frymë e vlerë këtij aktiviteti sa të nevojshëm, po aq dhe të domosdoshëm.
Ne nuk i detyrohemi askujt asnjë gjë, ne nuk pushtuam askënd, ne jemi për bashkëpunim e raporte të fqinjësisë së mirë të bazuar në marrëdhëniet reciproke midis popujve, e megjithatë ne, si gjithnjë kemi qenë dhe jemi të persekutuarit e rajonit. A e dini pse? Sepse politikat zyrtare qofshin këto të Tiranës zyrtare, të Prishtinës zyrtare, të Tetovës zyrtare si dhe të Evropës së Bashkuar nuk po kalojnë caqet e logjikës së cekët dhe teoritë e integrimit modern pa pasur së pari një integrim kombëtarë të gjithsecilës etni, theksoi në fjalën e tij Ziu, përfaqësues i Shoqatës Atdhetare për Bashkim Kombëtar. Ndër të tjera ai shtoi se nuk ka shembull të dytë si ky yni, të ndarë në gjashtë shtete, të rrethuar nga vetvetja e të paintegruar më së pari si shqiptarë. Edhe Besnik Osmani, kryetar i Shoqatës Çamëria, të qytetit të Fierit ngriti fortë idenë e bashkimit kombëtarë duke cilësuar se një nga problemet e këtij mosbashkimi është edhe trajtimi i çështjes çame si çështje e veçuar, e aneksuar nga çështja e përgjithshme kombëtare. Jo, çështja çame duhet konsideruar si çështje e të gjithë shqiptarëve e jo më si lëmosh që u kërkohet forumeve të huaja apo politikës së Tiranës a Athinës, veçoi Osmani. Në emrin e Kryesisë qendrore të Shoqatës Atdhetare për Bashkim Kombëtar, në emër të kryetarit të saj Prof. Dok Hulusi HAKO dhe në emër të sekretarit të përgjithshëm të po kësaj shoqate, Genc LLAKAJ, fjalën e mbajti anëtari i kësaj kryesie Fejzi Hysi, i cili nuk anashkaloi rolin dhe vlerat që mbartin tubime të tilla në lidhje e në shërbim të çështjes së pazgjidhur shqiptare. Shqiptarët duhet të ndërgjegjësohen se pa një komb të bashkuar, të integruar nuk ka e as do të ketë identitet të shqiptarëve në të ardhmen. Pa një bashkim kulturor-shpirtëror, pa një bashkim e unifikim të Akademisë së Shkencave për të gjithë shqiptarët, pa një bashkim të monopoleve-ekonomike të shqiptarëve në Ballkan ( në trojet ku ata jetojnë si autoktonë) as nuk ka e as nuk do të ketë një Evropë demokratike, solide e të bazuar juridikisht në të drejtat e popujve që e përbëjnë atë, ka theksuar Hysi.