E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Në zgjedhje nuk ka PS, por trust të lejeve të ndërtimit

 

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në vijim të turit të saj Shqipëria po ndryshon u ndal në Koplik. “Në fushatë ne nuk kemi më Partinë Socialiste, por kemi një konsorcium, një trust, është trusti i lejeve të ndërtimit, nuk është më Partia Socialiste, është trusti i 15 përqindëshit, nuk është më Partia Socialiste, është trusti i Bashkisë së Tiranës, është trusti i parave me të cilat blihet dhe e blejnë Kryetarin e Bashkisë së Tiranës”, deklaroi Topalli. Sipas saj, “këto janë dy botë, të cilat nuk kanë asgjë të përbashkët me njëra-tjetrën. Trustet e 15 përqindëshit nuk punojnë për Shqipërinë, trustet e lejeve të ndërtimit nuk punojnë për vendin, trustet e Bashkisë së Tiranës dhe paratë me të cilat shiten dhe blihen këta kryetarë të partisë, natyrisht që nuk kanë motiv dhe dashuri për vendin”.
Topalli theksoi se “në katër vite kemi dyfishuar rrogat, pensionet, buxhetin, të ardhurat, vërtet kemi ndryshuar totalisht infrastrukturën e Shqipërisë, vërtet kemi vendosur vetëm në zonat rurale 1,4 bilionë dollarë”. “Shqipërinë do ta bëjmë vendin më modern të Ballkanit dhe do të bëjmë atë që disa sot e mendojnë se ndoshta është e pamundur; pas një viti shqiptarët do të lëvizin pa viza për të takuar nënat, motrat, vëllezërit, fëmijët”, deklaroi Topalli. Ndërsa ajo shpreh bindjen se votimet e 28 qershorit do të fitohen nga ana e PD-së dhe koalicionit të saj. “Ne do të fitojmë zgjedhjet, ne do të fitojmë, ashtu siç kemi fituar gjatë gjithë kësaj periudhe, me garën tonë, me garën në të kaluarën, me garën për të ardhmen, me garën për të rritur ekonominë, për të rritur rrogat, pensionet; me garën për një Shqipëri më të bukur, me garën për ta bërë ekonominë më të fortë, me garën për të futur Shqipërinë në NATO, në BE. Unë jam e sigurt se ne, sa herë të kemi mbështetjen dhe optimizmin e qytetarëve, e burrave, e grave, e të rinjve, e të rejave gara të tjera do të fitojmë”, deklaroi Topalli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›