E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Mandatin e dytë rrugë të re Tiranë-Elbasan

 

Kryeministri Sali Berisha akuzoi dje kreun e PS-së Edi Rama se po përçan shqiptarët me deklaratat e tij kundër aksit rrugor Durrës- Kukës. Kreu i qeverisë ishte në Levan të Fierit, ku inauguroi nisjen e punimeve të aksit Levan-Tepelenë, pjesë e korridorit Veri Jug. “Unë dua t’i them opozitës, e cila në një rast shpall se shqiptarët i vodhën orën Xhorxh Bushit, në rastin tjetër deklaron se shqiptarët nuk do të marrin ftesën për në NATO, në një rast tjetër shpall të vdekurin në aksident si të ekzekutuar nga qeveria, apo në rastin tjetër krijon blofin se ujërat e Korfuzit iu dhanë Greqisë, e të tjera raste të tilla, pra, dua t’i them opozitës së blofeve se me asgjë nuk mund t’i përçajë shqiptarët”, u shpreh kreu i qeverisë. “Pra, zoti “përçarës”, më duhet të të them se axhenda jonë është e papërballueshme nga ty, se ne kemi një axhendë, që ta bëjmë Shqipërinë me rrugët më të reja, me rrugët më të mira në Ballkan dhe më gjerë. Çdo ditë ky projekt shndërrohet në realitet. Por dua t’u them dhe dy fjalë për korridorin, të cilin ne po e ndërtojmë”, vijoi më tej Kryeministri Berisha. Gjatë fjalës së tij kreu i ekzekutivit premtoi shtimin e investimeve në infrastrukturë katër vitet e ardhshme. Sipas tij, në mandatin e ardhshëm do të përfundojë boshti i Jugut, do të ketë një rrugë të re për të lidhur Tiranën me Elbasanin, do të përfundojë Qafë Plloçë-Qukës përmes rrugës së re si dhe rruga e Arbërit. Sipas tij, në këto katër vite të këtij mandati u bë e mundur anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, aplikimi për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian si dhe dyfishimi i rrogave dhe pensioneve. “Unë sërish dua t’u zotohem ju se mandati i dytë do të shënojë rritje të tjera shumë të mëdha të rrogave dhe të pensioneve, do të shënojë barazimin e pensioneve të fshatit dhe të qytetit. Ju nuk keni vuajtur me pak se sa punëtorët në fabrika. Njësoj keni vuajtur, ndaj dhe ne do t’ua barazojmë pensionet”, vijoi më tej Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›