Blushi: Edi Rama nuk do kandidojë për deputet
Kryetari socialist Edi Rama nuk do të kandidojë për deputet. Këtë deklaratë anëtari i kryesisë socialiste, Ben Blushi e bëri dje gjatë emisionit “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu në “Tv Klan” me një grup gazetarësh. Në këtë mënyrë Blushi zbardh dhe misterin që kishte kohë që qëndronte rreth kandidimit të Ramës përballë Berishës në Tiranë. “Zoti Rama, unë që të paktën e di sepse kam biseduar me të vazhdimisht, është futur në këtë stad të jetës politike me konshiencë, kur kërkoi të bëhet kryetar i Partisë Socialiste, ku kandidoi dhe fitoi e tani vazhdon. Kryetari i PS ai e dinte që do të vinte në këtë ditë, që të kandidojë për kryeministër. Ky është një akt konshience. Ky është një njeri që ka marrë përsipër të drejtojë PS, por dhe të marrë përsipër drejtimin e vendit nëse PS fiton zgjedhjet. Nëse kryeministri nuk do të ketë një mandat deputeti, kjo nuk i heq dhe nuk i shton asgjë cilësisë së qeverisë sonë. Zoti Rama nuk do kandidojë për deputet, gjë që e ka thënë dhe vetë, po jua them edhe unë nëse doni. Ai do të jetë kryeministri i Shqipërisë duke transferuar kontratën e tij si kryetar bashkie. Dhe kjo është shumë e logjikshme. Njerëzit do të votojnë Edi Ramën apo Sali Berishën për kryeministër dhe nuk e vrasin shumë mendjen se në çfarë kushtesh do ta bëjë këtë gjë”, tha Blushi. Deputeti socialist iu përgjigj edhe interesimit të gazetarëve të pranishëm në studio nëse kreu socialist do të mbajë njëkohësisht edhe postin e kryetarit të bashkisë dhe të kryeministrit nëse PS fiton zgjedhjet. “Zoti Rama pretendon një mandat si kryeministër. Duke kërkuar të qeverisë Shqipërinë do të qeverisë dhe Tiranën, që do të thotë se do të transferojë kontratën e vet me qytetarët pa e braktisur atë. Zoti Rama nuk do të jetë për asnjë ditë edhe kryetar i Bashkisë së Tiranës edhe kryeministër”, tha Blushi.
Duke folur për marrëdhëniet me LSI-në, Blushi tha se të dyja partitë kanë një qëllim të përbashkët dhe nuk e përjashtoi qeverisjen e përbashkët pas zgjedhjeve. “Sot rrugën janë ndarë por kjo nuk do të thotë se nuk mund të bashkohemi pas zgjedhjeve.
Gjërat kanë ndryshuar për të mirën e përbashkët dhe do të jemi dy koalicione të ndryshme të majta për të mirën e përbashkët”, tha Blushi. Deputeti socialist foli dje dhe për ish-kryetarin socialist Fatos Nano. Sipas tij, Nano duhet të jetë në listën e PS-së, pasi ai ka një produkt pozitiv në punën e tij. “Për mua zoti Nano nuk duhet të futet në politikën e vjetër. Unë kam punuar me të dhe kam pasur ditë shumë të mira dhe eksperiencë të paharrueshme në këtë drejtim. Por ai sigurisht nuk mund të komentohet si gjithkush nga ne, pasi ai e drejtoi PS deri në vitin 2005 dhe ka krijuar një precedent politik, që shpresoj t’i shohim në këto zgjedhje dhe si kryeministër ka lënë një Shqipëri shumë më të mirë nga ç’e gjeti, krahasuar me vitin 1997 kur ai la burgun. Një politikan vlerësohet nga rezultati që lë. Zoti Berisha e la më keq Shqipërinë në 1997 nga ç’e gjeti në 1991”, tha Blushi.