Basha-Moratinos: Shqiptarët, anëtarë të BE-së
Ministri i Jashtëm i Spanjës sjell në Tiranë mesazhin e fortë të qeverisë spanjolle, se do të mbështesë integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, se do të jetë shumë shpejt anëtar i këtij unioni dhe se do të udhëtojë pa viza në zonën “Shengen”. Sipas kryediplomatit spanjoll, Miguel Angel Moratinos, i cili dje zhvilloi takime me Kryeministrin Berisha, ministrin e Jashtëm, Basha dhe kryetaren e Kuvendit, Topalli, këtë mbështetje do ta garantojë më së tepërmi gjatë presidencës së saj të radhës në BE, në 6-mujorin e parë të vitit 2010. Moratinos pohoi se "Shqipëria do të jetë anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Evropian dhe ky është një proces i pakthyeshëm". “Përsa i përket lidhjes mes Shqipërisë dhe BE-së, dua t’i jap një mesazh shqiptarëve se ata do jenë anëtarë të këtij unioni, por për këtë duhet shumë punë megjithëse procesi i nisur është në rrugë të mbarë. Ne e kemi përshëndetur kandidimin e Shqipërisë për anëtarësim në BE dhe do të japim mbështetjen tonë konkrete gjatë presidencës sonë të BE-së gjatë vitit të ardhshëm. Në punën tonë gjatë kësaj presidence, ne do t’i japim prioritet liberalizimit të regjimit të vizave të shqiptarëve”, - theksoi z. Moratinos. Gjatë këtij takimi, ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, vuri në dukje se "Shqipëria ka të gjitha arsyet të besojë se reformat janë rruga e suksesit drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë". Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologun spanjoll, Miguel Angel Moratinos, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri, ministri Basha shprehu mirënjohjen për kontributin që ka dhënë Spanja në proceset integruese të Shqipërisë. Duke informuar mbi arritjet e Shqipërisë në përmbushjen e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, ministri Basha u ndal në "luftën pa kompromis kundër krimit dhe korrupsionit, si dhe vendosjen e sistemit të prodhimit të dokumenteve të sigurta të identitetit dhe pasaportave biometrike". Reformat e ndërmarra nga kjo qeveri, tha ministri Basha, "u kurorëzuan me sukses me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe aplikimin për statusin e vendit kandidat në BE, dy procese këto që japin garanci për rrugëtimin e suksesshëm të Shqipërisë drejt objektivave afatshkurtër, si liberalizimi i vizave dhe afatmesme, si integrimi evropian". "Shpreh mirënjohjen për mbështetjen që jep Spanja për përmbylljen me sukses të procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë, por edhe për vende të tjera të rajonit. Spanja i ka dhënë një mbështetje të vazhdueshme axhendës evropiane të Shqipërisë, por edhe procesit jetik të liberalizimit të vizave", - tha ministri Basha. Duke u ndalur te marrëdhëniet dypalëshe, Basha vlerësoi bashkëpunimin e vazhdueshëm në fushën e rendit dhe drejtësisë, në fushën e arsimit, por dhe në fushën ekonomike.
Shqipëri-Spanjë, firmosen 5 marrëveshje bashkëpunimi
Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha dhe homologu i tij spanjoll, Miguel Angel Moratinos, nënshkruan dje në Tiranë 5 marrëveshje dypalëshe, të cilat i shërbejnë intensifikimit të bashkëpunimit mes dy vendeve. Sipas tyre, "nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve është i rëndësishëm, pasi nxitet bashkëpunimi në fusha me interes të përbashkët si lufta kundër krimit të organizuar, fusha e doganave, mjedisit, bujqësisë etj". Konkretisht, marrëveshje bashkëpunimi në luftën kundër krimit të organizuar, marrëveshje bashkëpunimi në fushën e doganave, marrëveshje bashkëpunimi për punësimin e familjeve të diplomatëve në dy vendet respektive, protokolli i bashkëpunimit mes Ministrisë së Mjedisit të Shqipërisë dhe Ministrisë së Mjedisit të Spanjës, protokolli i bashkëpunimit mes Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorëve të Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë së Spanjës.