Mediu: Vota djathtas, votë për në BE
Vota djathtas më 28 qershor nënkupton qartë votë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Kjo është bindja e kryetarit të Partisë Republikane, Fatmir Mediu, i cili gjatë një takimi me anëtarë dhe simpatizantë të kësaj partie në qytetin e Burrelit, pohoi se vota e shqiptarëve për mazhorancën e djathtë në zgjedhjet e 28 qershorit, është votë për ëndrrën e madhe, atë në BE. Sipas tij, hapi i parë u bë me paraqitjen e kërkesës për statusin e vendit kandidat. Mediu vuri në dukje se “gjatë mandatit të dytë, një rëndësi të madhe do të kenë ish-të përndjekurit politikë, ata të cilët kërkuan lirinë, sakrifikuan lirinë e tyre, për lirinë e të gjithë shqiptarëve”. “Një çështje madhore për republikanët do të jetë edhe angazhimi maksimal për kthimin e pronave në Shqipëri, si një nga çështjet themelore që kërkon zgjidhje imediate”, - tha z. Mediu.