E Diel, 1 Nëntor 2026

Lista e PS-së, PD, Mëhilli: Humbja e sigurt e Ramës



Një listë pa cilësi kandidatësh që PS-së i garanton që tani humbjen në zgjedhjet e 28 qershorit. Partia Demokratike e konsideroi dje listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste, dështimin e sigurt të Edi Ramës në zgjedhjet e 28 qershorit. Zëdhënësja për shtyp e Partisë Demokratike, Erla Mëhilli, informoi se “Edi Rama pas 20 vitesh pluralizmi vendosi të shpallë garën elektorale të Partisë Socialiste pa udhëheqësin e saj, duke përsëritur vitin ‘91 të Ramiz Alisë, kur ai për të mos humbur karrigen e Presidentit, hapi garën elektorale pa përfshirë sekretarin e parë të partisë politike që drejtonte”. “Të nisësh garën, - vijoi ajo, - duke mos qenë i zoti të japësh dorëheqjen nga detyra e kryetarit të bashkisë, në emër të interesave më të mëdha të anëtarësisë dhe mbështetësve të partisë tënde, do të thotë jo vetëm të vendosësh një standard që s’ka ekzistuar kurrë në vendet e lira, por do të thotë të firmosësh publikisht kapitullimin dhe e bën këtë vetëm e vetëm për interesat e karriges bashkiake”. “Për sa i përket listës së deputetëve, - shtoi Mëhilli, - të cilën z. Rama nuk guxoi as ta komentonte publikisht para shqiptarëve, listë në të cilën mungon kryetari dhe ish-kryetari i saj, komenti më i përshtatshëm është të mos e komentosh”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›