Moskandidimi, Berisha: Rama la fushën bosh
Kryeministri Sali Berisha kritikon kryetarin e PS-së, Edi Rama, për shkeljen e rregullave të fushatës elektorale, duke lënë bosh fushën e lojës me moskandidimin për deputetë në Kuvendin e ardhshëm. Berisha akuzoi Ramën se ky do të jetë një turp i tij jo vetëm para shqiptarëve, por edhe para Evropës, pasi liderët futen në garë dhe përballen me alternativa. Me thirrjen për t’u shkëputur nga karrigia e bashkisë, Berisha i vuri në dukje Ramës se duhej të kryesonte listën e PS-së në zgjedhjet e 28 qershorit, por sipas tij, ishte frika e humbjes ajo që pengoi kandidimin e Ramës. Gjatë turit “Shqipëria po ndryshon”, i cili ndaloi në zonat e Korçës, Berisha u shpreh: “I kërkoj z. Rama të dalë në krye të listës së partisë, se rregulli qytetar kërkon që fushata të jetë simetrike, që të dy palët të kenë liderët e tyre, mos bëj gabimin fatal ta lësh fushën bosh, sepse do të jesh një turp, jo vetëm për Shqipërinë, por për mbarë Evropën”. “Kij kurajën, - shtoi Kryeministri, - merr guximin, shkëputu nga lejet e ndërtimit, dil në shesh, të dalim me alternativa dhe t’u themi shqiptarëve se çfarë do të bëjmë ne në katër vitet që vijnë”. Berisha përmendi politikat mashtruese të z. Rama, ku theksin e vuri tek lejet e lindjes së grave, të cilave do t’ua bënte një vit, ndërkohë që një gjë të tillë PD-ja e ka bërë që në vitin 1993. Kryeministri Berisha gjatë përurimit të fillimit të punimeve të rrugës së Voskopojës, një investim prej rreth 600 milionë lekësh, premtoi se “vitin e parë të mandatit të dytë, do të lëvizni pa viza në tërë Evropën si qytetarë të mirë të saj”. “Ne, - vuri në dukje Berisha, - kemi ndryshuar dhe po e ndryshojmë Shqipërinë, sepse katër vite më parë kemi premtuar se fëmijët do t’i vendosim të parët dhe këto katër vite ne kemi rindërtuar apo ndërtuar nga e para 1.012 shkolla nga 2.000 që janë gjithsej në Shqipëri, kemi dyfishuar buxhetin për fëmijët tanë, kemi dyfishuar pagat për mësuesit e tyre, kemi shtrirë internetin në të gjitha shkollat e fëmijëve tanë, kemi hapur dyert e universiteteve dhe kemi dyfishuar numrin e studentëve”. “Udhëtimi ynë ka të bëjë me besimin tek njëri-tjetri, me besimin tonë tek vendi, me besimin e të tjerëve tek Shqipëria. Sot ky besim është më i madh se kurrë, sepse ne po e ndryshojmë për mirë Shqipërinë. Vetëm në muajt dhjetor-janar-shkurt, qeveria juaj ka firmosur për ju dhe në emrin tuaj 5 miliardë euro kontrata, nga të cilat 3.5 miliardë për energjinë, punimet e të cilës do të fillojnë gjatë kësaj periudhe”, - u shpreh z. Berisha. Pasi renditi të gjitha projektet që janë zbatuar në 4 vjet në këtë zonë, Kryeministri siguroi se "interesat e qytetarëve për rrugë, shkolla, ujësjellës e kanalizime janë në axhendën e programit të kësaj qeverie". Duke garantuar se "qeveria do të bëjë çdo gjë për mbrojtjen e prodhimit vendas", Kryeministri solli në vëmendje se "deri tani janë financuar të gjitha projektet e vlefshme të fermerëve shqiptarë". "Ne e kemi ndryshuar Shqipërinë, me një luftë të pamëshirshme ndaj varfërisë dhe kemi nxjerrë mbi 400 mijë shqiptarë nga varfëria", - tha Kryeministri, duke premtuar se "në mandatin e dytë do të barazohet pensioni i fshatit me atë të qytetit". "Ne e ndryshuam Shqipërinë, sepse e shkëputëm atë nga terri dhe, nga dënimi kolektiv i ndërprerjes së dritave. Vetëm vitin e kaluar ne kemi blerë 210 milionë euro energji dhe kjo nuk ndikoi në dobësimin e ekonomisë shqiptare, e cila në të kundërt kapi rritjen më të madhe se në çdo vend tjetër në Evropë", - u shpreh Kryeministri Sali Berisha.