E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi, Mesiç: Vullnet për “Shengenin” ballkanik



Presidenti Bamir Topi, që nga Kroacia hedh idenë e krijimit të një “Shengeni” ballkanik, duke besuar në vullnetin e palëve. Zyra e shtypit pranë Presidentit njoftoi mbi takimin dhe konferencën e përbashkët për shtyp, që z. Topi pati dje me homologun e tij kroat, Stipe Mesiç, në kuadër të vizitës që po zhvillon në Zagreb. Presidenti Topi shprehu interesimin e palës shqiptare për më tepër investime kroate në sektorë strategjikë, për zhvillimin e ekonomisë në vend, përfshi këtu edhe fushën e energjetikës. “Një kontribut real në këtë drejtim do të ishte liberalizimi i vizave, që do krijonte afërsi dhe mundësi të reja për bashkëpunimin mes dy vendeve e popujve tanë, duke krijuar lehtësi ndaj barrierave të ndryshme administrative, ekonomike etj.”, - theksoi z. Topi, i cili nënvizoi dhe idenë dhe vullnetin për krijimin e një “Shengeni” ballkanik. “Shqipëria i ka liberalizuar vizat për qytetarët kroatë në qershor të vitit 2002, - ndërkohë që siç u shpreh z. Topi, - presim me padurim dhe këtë e them në emër të të gjithë qytetarëve të Shqipërisë që këtë hap ta bëjë edhe Kroacia sa më shpejt”. Ai vuri në dukje predispozicionin konstant të Presidentit Mesiç për nevojën e liberalizimit të vizave. Lidhur me liberalizimin e vizave, Presidenti kroat tha se para së gjithash Kroacia duhet ta liberalizojë regjimin e vizave përkundrejt Shqipërisë. “Për sa i përket vendit tonë mik, Shqipërisë, ajo regjimin e vet të vizave për qytetarët e Kroacisë e ka liberalizuar deri në fund”, - u shpreh Presidenti Topi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›